Më 15 tetor 2024, qeveria e Shqipërisë nënshkroi në Luksemburg çeljen e negociatave teknike të Shqipërisë për grup-kapitullin e parë të bisedimeve të anëtarësimit me Bashkimin Evropian, gjate Konferencës së Dytë Ndërqeveritare mes Shqipërisë dhe Bashkimit Evropian.
Ky grup-kapitull përmban çështje bisedimi si drejtësia, gjyqësori, funksionimi i institucioneve demokratike, reforma e administratës publike, prokurimi publik, statistikat dhe kontrolli financiar. Të gjitha këto tema janë çështje të quajtura themeltare nga institucionet e Bashkimit Evropian.
Në procesin e integrimit në familjen e përbashkët evropiane të BE-së ka disa hapa historikë për një vend që kërkon të bëhet vend anëtar dhe nënshkrimi i datës 15 tetor 2024 ishte i tillë.
Eksperti i ekonomisë Albert Gajo në intervistë për CMG
Tani ecja e vendit dhe e ekonomisë së tij është e përcaktuar dhe mund të përshpejtohet, pasi, më në fund, po nis pjesa praktike e bisedimeve të anëtarësimit edhe për Shqipërinë. Gjithshka këtej e tutje do të varet disa faktorë kryesorë, me rendesi te jashtezakonshme per zhvillimin e qendrueshem ekonomik te vendit.
Së pari, nga gatishmëria e BE-së për të përshpejtuar procesin. Aplikimi i Shqipërisë më 12 qershor 2024 për t’u futur në SEPA, në tregun unik europian të transakasioneve me euro, dëshmoi për vullnetin e Bashkimit Evropian për të përshpejtuar integrimin financiar të vendit tonë me tregun e përbashkët evropian.
Në nëntor 2023, Komisioni Evropian, qeveria e Bashkimit Evropian shpalli Planin e ri të Rritjes për Ballkanin Perëndimor, i cili mobilizon për të gjashtë vendet tona 6 miliardë euro në katër vjet, 2 miliardë euro grante, para dhuratë dhe 4 miliardë euro kredi të buta.
Ky plan i ri i Rritjes i Bashkimit Evropian, nga i cili Shqipëria pritet të përfitojë mbi 930 milionë euro në formë dhurate ose kredi të buta, do të na sjellë më tepër hapësirë financimi për projektet e zhvillimit tek ne.
Një pjesë e mirë e këtij fondi, më shumë se gjysma e tij (53.5%), do të mbështesë zbatimin e projekteve të rëndësishme, nëpërmjet mekanizmit të Fondit të Investimit të Ballkanit Perëndimor, një instrument financiar i Procesit të Berlinit.
Në planin e tij kryesor financiar, që quhet Axhenda e Ndërlidhjes(konektivitetit), deri në qershor 2024, në vlerë totale, Shqipëria përfaqësonte rreth 13 përqind të projekteve të Axhendës, nga 7 përqind në fund të vitit 2019, duke përmirësuar ndjeshëm pozicionin e saj, për shkak të miratimit të dy projekteve të reja në samitin e Sofjes, për rehabilitimin e HEC-it të Fierzës, me vlerë 43 milionë euro dhe për Unazën e Madhe të Tiranës, me vlerë 151 milionë euro.
Me miratimin e fondeve për tre hekurrudhat kryesore, pjesa e vendit tonë në Planin e Rritjes së BE-së shtohet akoma. Punimet në terren për ndërtimin e hekurudhës Vorë-Hani i Hotit do të nisin në dhjetor të këtij viti. Kjo linjë hekurudhore mund të përshpejtohet ndjeshëm në ndërtimin e saj, me çeljen e bisedimeve teknike të anëtarësimit Shqipëri-BE, duke përfunduar ndoshta edhe përpara vitit 2028.
Përmes instrumentit të Procesit të Berlinit, deri tani, në vetëm pesë vitet e fundit 2019-2024, BE ka dhënë 697 milionë euro në projekte infrastrukturore për zhvillimin e Shqipërisë. . Eksperti i ekonomisë, ish zëvendësministër i integrimit Albert Gajo në intervistë për Grupin Mediatik të Kinës (CMG) analizon nisjen e bisedimeve teknike të Shqipërisë me BE-në dhe ndikimin në ekonominëe Shqipërisë.
Flamujt e Shqipërisë dhe BE-së (Foto ATSH)
CMG: Z. Gajo, pse ka rëndësi për ekonominë tonë hapja e bisedimeve teknike të anëtarësimit në BE më 15 tetor 2024 në Luksemburg?
Albert Gajo: Fazat e para të integrimit europian mund të them zyrtarisht se kanë filluar mbas ngjarjeve të Kosovës, në vitin 1999, kur Shqipëria atëhere paraqiti kërkesën për anëtarësim në BE.
Që nga ai vit e deri tani, është folur gjithmonë dhe çdo qeveri ka patur hapat e veta, proceset e veta, dështimet e veta, por duhet të themi që është një proces, ku administrata publike në përgjithësi dhe biznesi, janë të orientuara drejt standarteve europiane.
Po ashtu, ka një periudhë shumë të gjatë që legjislacioni shqiptar në këto 15 vitet e fundit, ku çdo inisiativë merr në konsideratë direktivat e BE-së, rregulloret, në mënyrë që kur të vinte ky momenti i negociatave konkrete, atëhere Shqipëria do të ishte sa më e përgatitur dhe periudha e negociatave të jetë sa më e vogël, në mënyrë që Shqipëria të gëzojë të drejtën e anëtarit të plotë të Bashkimit Evropian. Sigurisht, përfitimet do të jenë njëlloj si vendet e Bashkimit Europian, nga fonde të tjera të anëtarësimit.
CMG: A ka lidhje Procesi i Berlinit dhe ndihma që marrim prej tij, në përparimin e negociatave të anëtarësimit në Bashkimin Evropian?
Albert Gajo: Procesi i Berlinit është një inisiativë specifike, e cila nuk është aplikuar me vendet e tjera të ish bllokut komunist, që tashmë janë bërë vende anëtare të Bashkimit Evropian.
Procesi i Berlinit është bërë specifikisht, për të sheshuar deri diku kontradiktat dhe problematikat që kanë vendet e Ballkanit Jug-Perëndimor, problematika të brendshme, por edhe ato të bashkëpunimit. Është një program, i cili do të stimulojë zhvillimin ekonomik të brendshëm të këtyre vendeve, nëpërmjet investimeve të përbashkëta rajonale, por që do të gjente zbatueshmërinë.
Duhet ta pranojmë se një pjesë e madhe e investimeve akoma nuk ka gjetur zbatim, megjithëse projektet për to kanë 10 vjet që janë bërë. Kjo ka ndodhur, për shkak të ngërçeve që krijojne vendet përfituese të ndihmës, për bashkëpunim, për të gjetur projekte të përbashkëta dhe për të pasur aftësinë për t’i thithur këto lloj fondesh.
Pra, instrumentat si të BE-së, por dhe të Procesit të Berlinit, që po aty synojnë, janë mbështetese si instrumenta, por paraprakisht kërkojnë që këto vende përfituese, të krijojnë klimën e bashkëpunimit, si dhe të gjenerojnë ide, projekte dhe t’i përshtasin e fokusojnë, në kushte që këto projekte pastaj të ndihmojnë në integrimin europian.
CMG: Do të ketë tani vonesa dhe zvarritje nga ndikime politike, apo negociatat me BE-në fituan imunitet?
Komisioni-Europian (Foto Facebook)
Albert Gajo: Jam i sigurtë që do të ketë vonesa dhe zvarritje. Nuk jam aq optimist, përveçse për klimën e biznesit. Kjo do të ndodhë, për arësye se negociatat e anëtarësimit për në BE, pavarësisht që duken që janë teknike, pra hyjnë teknicienët në lojë, ato në fund të fundit, përfaqësojnë edhe një proces politik.
Kjo, pavarësisht se teknicienët e BE-së bëjnë analizën e plotë të zbatueshmërisë së ligjeve të vendit kandidat si Shqipëria, pavarësisht deri ku kemi shkuar me harmonizimin e ligjeve, apo edhe pavarësisht zbatimit dhe çfarë nevojash ka administrata shtetërore për plotësim kapacitetesh.
Së pari, kjo kërkon angazhimin e plotë të Parlamentit të Shqipërisë, sepse kërkon jo vetëm mbikqyrje të procesit, por ndryshueshmëri dhe zbatueshmëri të ligjeve, në funksion të hartimit dhe zbatimit të axhendës integruese të vendit për në BE.
Së dyti, kjo kërkon kalimin e fondeve të mjaftueshme nga sektorë të tjerë, që nuk janë prioritarë, dhe që i japin fokus zbatimit të direktivave të Bashkimit Evropian dhe krijojnë incentiva të tjera për administratën publike.
Kjo do të ndodhë, ngaqë duhet të rritesh dhe të krijosh kapacitete për administratën publike dhe duhet të gjesh instrumenta, që ligjet europiane të BE-së të zbatohen në Shqipëri, gjë që deri tani është e limituar.
Pra, duhet inisiativa politike. Ç’do të thotë kjo?
Do të thotë se të nevojitet iniciativa politike, për të patur vizibilitet, apo për ndihma sociale, pensione etj.; veprime që krijojnë një lloj sinergjie, që çdo qeveri të kalojë ngërçin politik nga moszhvillimi i ekonomisë siç duhet. Pra, ne do të duhet t’i mobilizojmë këto fonde për atë qëllim.
Në një farë mënyre, pa këtë lloj inisiative dhe bashkëpunimi në Parlament, është e pamundur vazhdimësia e negociatave dhe mbyllja e kapitujve të Marrëveshjes së Stabilizim Asocimit me BE-në, pasi ndryshe do të kemi një ngërç.
Pra, procesi nuk është thjesht teknik. Nga pikëpamja e legjislacionit, mund të them se 90 përqind e legjislacionit shqiptar është tashmë i përshtatur me legjislacionin e Bashkimit Evropian.
Por ama, se sa është i zbatueshëm dhe çfarë kapacitetesh ka legjislacioni i Shqipërisë, kjo është gjë tjetër. Kur bëhet screening, pra kontrolli i progresit, nuk shihet vetëm përputhshmëria e legjislacionit tonë, por shikohet në detaje a janë kapacitet e mjaftueshme për zbatimin e këtij apo atij ligji, si dhe jepen provat që kjo lloj ligjishmërie të jetë e zbatueshme në terren dhe të japë efektet e duhura.
Ky është një proces, i cili kërkon investime shtesë, rritje kapacitetetesh zbatuese dhe vëmendje nga ana e politikës, në këtë drejtim.
CMG: Sa kohë do të duan të 31 kapitujt e tjerë të hapen dhe të mbyllen? Pragu i vitit 2030 a duket i realizueshëm për përmbylljen me sukses të negociatave dhe anëtarësimin e Shqipërisë në BE?
Albert Gajo: Do të thoja se Bashkimi Evropian, në vend që të bënte deri tani rolin e kritikuesit, duhet t’i kishte hapur shumë kohë më përpara negociatat me Shqipërinë.
Po t’i kishte hapur më parë, do të kishte bërë një hap të parë dhe topin do ja kishte lënë politikës shqiptare. Topi ka mbetur tek ne, pasi nuk ka argumente të thuash që nuk janë hapur negociatat për këtë ose atë arsye.
Prezantimi i Planit të Rritjes për Ballkanin Perëndimor (Foto Revista Monitor)
Hapja e negociatave është fizarmonikë dhe shumë vende, sot vende anëtare të Bashkimit Evropian, i kanë mbyllur negociatat e anëtarësimit shumë herë më shpejt në kohë.
Kjo ka ndodhur, atëhere kur iniciativa politike dhe dëshira për t’u bërë vend anëtar dhe për të kapur vendet e tjera anëtare të BE-së, ka qenë shumë e fortë.
Pra, mund të ketë 1 vit apo 1 vit e gjysëm që këto vende kanë mbaruar të gjithë kapitujt e anëtarësimit. Pra, janë vende vërtet që kanë patur anagazhim të fortë politik dhe i kanë realizuar detyrimet e tyre në mënyrën më të mirë të mundshme, si Kroacia. Por ama, ka edhe vende si Turqia, që kanë 30 vjet që i kanë hapur negociatat e anëtarësimit dhe që nuk i mbyllin për qëllimet e tyre dhe per raportet që kane me BE.
Pra, nuk është një firzamonikë që të kërkojë 5 vjet. E mundshme është të mbyllen edhe për 2 vjet e gjysëm. Madje, ne mund të ishim bërë vend anëtar edhe përpara shumë vendeve të tjera të BE-së, por është ngërçi politik.
Ky është problemi kryesor në Shqipëri. Nëqoftëse ka një normalitet të proceseve poitike dhe mund të bëhen zgjedhjet normale, të ketë veprimtari normale të Parlamentit, të ketë një angazhim të të gjithë forcave politike në këtë lloj orientimi, atëhere situata do ishte shumë e mirë.
Në parim, çdo forcë politike që ka qenë në pushtet, në qoftë se i përdor negociatat për çështje politike, atëhere kjo forcë ka humbur. Janë angazhime që vërtet kanë kosto sociale, por përfitimet e tyre afatmesme apo afatgjata, sidomos në ekonomi, janë shumë të larta.
Intervistoi Fatos Çoçoli