Josep Borrell (Foto Rtsh)
Komisioni Evropian njoftoi se Ukraina duhet të kalojë në fazën tjetër të bisedimeve të anëtarësimit në BE sa më shpejt të jetë e mundur në vitin 2025, shkruan “RTSH”.
Gjatë prezantimit të raportit vjetor të bllokut mbi kandidatët për anëtarësim, kryediplomati i BE-së, Josep Borrell, deklaroi se Ukraina ka vazhduar të çojë përpara reformat kyçe, pavarësisht konfliktit në vazhdim.
KE-ja rekomandoi avancimin e mëtejshëm të bisedimeve me Ukrainën në fusha kyçe si gjyqësori, rregulloret financiare dhe të drejtat themelore. BE-ja filloi bisedimet me Ukrainën në qershor.
Negociatat për anëtarësim janë një proces i gjatë dhe i ndërlikuar, që kërkon shumë vite ndryshime administrative, ligjore dhe ekonomike, që një kandidat të përmbushë standardet e BE-së.
Anëtarësimi në Bashkimin Europian prej 27 anëtarësh është një prioritet strategjik për Ukrainën dhe presidenti i vendit, Volodymyr Zelensky, ka mbrojtur fuqishëm anëtarësimin në bllok pas nisjes së konfliktit me Rusinë në shkurt 2022.