Gjykata e Bolonjës çon në GJED dekretin për emigrantët nga vendet e sigurta
2024-10-31 10:11:08

Emigrante (Foto Egypttoday)

Çështja e emigracionit në Itali, konkretisht përcaktimi i vendeve të sigurta, vijon të shkaktojë paqartësi dhe debate. Gjykata e Bolonjës ka referuar në Gjykatën Europiane të Drejtësisë dekretin italian për “vendet e sigurta”, pas projektligjit të ri që u bë me synimin për funksionimin e marrëveshjes Itali-Shqipëri për emigrantët, pasi vendimi i Gjykatës së Romës e bëri të pamundur zbatimin e saj, shkruan “RTSH”.

Kryetari i gjykatës, Pasquale Liccardo, shpjegon se me këtë sipërmarrje synojnë vetëm marrjen e një interpretimi uniform dhe të qëndrueshëm të ligjit të Bashkimit Europian nga organet gjyqësore italiane dhe të gjitha degët e shtetit, të detyruara të respektojnë ligjin e BE-së, sipas interpretimit detyrues të Gjykatën Evropiane të Drejtësisë.

Referimi nga gjyqtarët e Bolonjës rrjedh nga rasti i një azilkërkuesi, një shtetas i Bangladeshit, i cili 18 tetorin e vitit të kaluar kundërshtoi një dispozitë të komisionit territorial, pasi kërkesa e tij për mbrojtje u deklarua e pabazuar për shkak të origjinës së tij nga një vend i sigurt dhe dështimi për të treguar arsye serioze për ta konsideruar atë vend të pasigurt.

Duke filluar nga 24 tetori, me një dekret qeveritar, Bangladeshi konsiderohet nga Italia një vend i sigurt, por për Gjykatën e Bolonjës, këtu lindin dyshime.

Gjykata kujton se për të folur për një vend të sigurt, siguria duhet të prekë të gjitha grupet shoqërore në të njëjtin vend.