Ministri Malaj (Foto Atsh)
Ministri i Financave, Petrit Malaj, prezantoi në Konferencën e Kryetarëve në Kuvendin e Shqipërisë projektbuxhetin për vitin 2025, ku deklaroi se ai synon të mbështesë një rritje ekonomike të qëndrueshme dhe konsolidimin fiskal, shkruan “ATSH”.
Vëmendje e veçantë, tha ai, i është kushtuar financimit të Planit të Rritjes së BE-së për Ballkanin Perëndimor, si një instrument i rëndësishëm për përshpejtimin e konvergjencës ekonomike e sociale të Shqipërisë me ato vende të BE-së.
Ai theksoi se pr.buxheti 2025 tejkalon shifrën e 8 miliardë eurove shpenzime publike të planifikuara, si dhe projekton një borxh publik me ulje të vijueshme, duke u fokusuar tërësisht në miradministrimin fiskal, pa prezantuar masa të reja fiskale.
Sipas ministrit, ekonomia shqiptare ka treguar një qëndrueshmëri të konsiderueshme përballë një sërë goditjesh të njëpasnjëshme gjatë viteve të fundit.
“Rimëkëmbja ekonomike vendase ka tejkaluar pritshmëritë tona fillestare, dhe më e rëndësishmja, fondamentet makroekonomike kanë dëshmuar qëndrueshmëri të lartë gjatë kësaj periudhe sfiduese. Ekonomia e vendit vijon të qëndrojë në një trend pozitiv zhvillimi edhe në 2024”, deklaroi Malaj.
Për sa i përket perspektivës ekonomike, në skenarin bazë të programimit makrofiskal për vitin 2025, ministri Malaj tha se parashikohet një rritje ekonomike prej 3.9%.
“Kjo rritje do të gjenerohet kryesisht nga kërkesa e brendshme, si nga konsumi privat ashtu edhe nga investimet totale në ekonomi. Në të njëjtën kohë, presim që edhe kërkesa e huaj neto të kontribuojë pozitivisht, veçanërisht për shkak të rritjes së eksporteve, me një rol të veçantë të sektorit të turizmit”,- deklaroi ministri Malaj.