CMG-ja: Shtimi i tarifave ndaj makinave elektrike të prodhuara në Kinë është bumerang për BE-në
2024-10-31 14:48:34

Fjala kyçe: 关税---[guān shuì]---tarifë


Foto nga VCG

Komisioni Europian njoftoi të martën se, që nga 31 tetori, do të vendosen tarifa shtesë antisubvencion me një afat 5-vjeçar ndaj automjeteve elektrike të prodhuara në Kinë. Ndër to, tarifat ndaj BYD, "Geely" dhe SAIC do të rriten me përkatësisht 17.0 %, 18.8 % dhe 35.3 %, për kompanitë e makinave që bashkëpunuan (duke mos përfshirë "Tesla"-n) 20.7%, ndërsa për të gjitha kompanitë që nuk e pranuan hetimin tarifat do të shtohen 35.3 %. Pala kineze është shprehur qartë që nuk e njeh dhe nuk e pranon këtë vendim dhe ka ngritur padi në mekanizimin për zgjidhjen e mosmarrëveshjeve të OBT-së.

"Përse Kina mban këtë qëndrim të mosnjohjes dhe mospranimit?" pyet CMG-ja në një koment të vetin. Sepse, sipas saj, masa e BE-së është "e paarsyeshme dhe e parregullt" dhe është një veprim proteksionizmi tregtar nën pretekstin e "konkurrencës së ndershme". Kjo jo vetëm që do të dëmtojë zinxhirin e prodhimit dhe furnizimit mes Kinës e Europës dhe do të shtojë koston për konsumatorët europianë, por edhe do të "helmojë" mjedisin e investimeve të BE-së e do të ngadalësojë procesin e transformimit të gjelbër të zhvillimit, duke qenë veprim tipik bumerangu.

Gjatë bisedimeve me BE-në, Dhoma e Tregtisë e Makinerive dhe e Pajisjeve Elektrike e Kinës ishte përfaqësuesja e vetme e Kinës dhe zv.kryetari i saj Shi Yonghong mori pjesë në tërë procesin e bisedimeve. Pas vendimit të BE-së, ai u shpreh për CMG-së që hetimi i BE-së ka nisur pa kërkesë nga qarqet përkatëse dhe këtij hetimi i mungojnë provat e mjaftueshme dhe ligjshmëria, duke qenë si një "shpallje politike". Gjatë negociatave, zyrtarët teknikë të BE-së ishin të mendimit që disa çështje ishin të pranueshme, por shpejt tërhiqeshin, sepse kishin shumë trysni politike dhe nuk mund të tregonin sinqeritet të mjaftueshëm për zgjidhjen e problemit.

Foto nga VCG

Veprimet e BE-së kanë shkelur parimet e OBT-së të hapjes, barazisë e mosdiskriminimit dhe janë në kundërshtim me rregullat e tregtisë së lirë që ajo ka promovuar gjithmonë, thuhet më tej në komentin e CMG-së. Pas kësaj qëndrojnë faktorë të tillë si konservatorizmi dhe politizimi i politikave ekonomike të BE-së, si edhe ndikimi i masave shtrënguese të ShBA-së ndaj Kinës. Po një veprim i tillë do të shkaktojë vetëm "humbje të përbashkët” dhe do të sjellë kosto të rëndë për vetë BE-në.

Së pari, do të dëmtohet qëndrueshmëria e zinxhirit të prodhimit dhe furnizimit të industrisë së automjeteve, si edhe do të dëmtohen interesat e ndërmarrjeve dhe konsumatorëve europianë. Grupi amerikan i studimit të politikave "Rhodium" vuri në dukje që zinxhiri global i furnizimit të automjeteve në fakt ka bërë ndryshim për t'u përshtatur me teknologjitë e reja, por me kufizimin e makinave elektrike kineze, Europa do të humbasë një mundësi të mirë dhe mund të pengojë zhvillimin e vet teknologjik.

Kryetari ekzekutiv i kompanisë "Renault", Luca De Meo tha: "Nëse nuk mund të zhvillojmë një bashkëpunim të mirë me ndërmarrjet kineze, procesi i elektrifikimit të makinave europiane do të përballojë vështirësi të madhe”. BMW-ja u shpreh në një deklaratë që vendimi i BE-së nuk mund të ngrejë konkurrueshmërinë e prodhueseve europianë të makinave, por do të dëmtojë ndërmarrjet që zhvillojnë biznes në sferë globale. Nga ana e saj, kryetarja e Shoqatës Gjermane të Industrisë së Automjeteve Hildegard Mueller deklaroi që vendimi i BE-së është një hap prapa për tregtinë e lirë globale. Çmimet e larta dhe heqja e mundësive për zgjedhje në treg do të jetë kostoja që duhet të paguajnë konsumatorët europianë, thekson komenti i CMG-së.

Në të njëjtën kohë, bashkëpunimi në fushën e investimeve ndërmjet Kinës dhe BE-së do të preket gjithashtu, teksa edhe mjedisi i biznesit në Europë është shqetësues. Një nga qëllimet kryesore të BE-së është të detyrojë më shumë ndërmarrje kineze makinash të bëjnë investime dhe të ndërtojnë fabrika në Europë. Por vetëm një mjedis i hapur dhe i drejtë mund të tërheqë investimet. Siç ka thënë Shi Yonghong, nëse BE-ja shfrytëzon mjete të tilla, kjo vetëm sa do të shkaktojë rreziqe të mëdha dhe paqartësi për kompanitë që investojnë në Europë. Ideja që, nga njëra anë, të pengohen e, nga ana tjetër, të tërhiqen investimet e huaja është një metodë e pasuksesshme, që do të krijojë shqetësim te më shumë kompani.

Foto nga VCG

Përveç kësaj, vendimi i BE-së minon transformimin e gjelbër të saj dhe përpjekjet globale për të përballuar ndryshimet klimatike. BE-ja ka vënë një objektiv për 27 vendet anëtare për të pakësuar lëshimet e karbonit me 55 % deri në vitin 2030 dhe për të arritur lëshim zero deri më 2050. Por, për shkak të inovacionit të pamjaftueshëm dhe kostove të larta, ky proces i transformimit të gjelbër të BE-së është penguar. Industria e automjeteve beson që Kina ka teknologji novatore lidhur me zhvillimin e gjelbër dhe që, nëse BE-ja do të "shkëputej" nga Kina në fushën e makinave elektrike, kjo vetëm do të përkeqësonte situatën, e mbyll CMG-ja komentin e vet.

(Jiang Lei)