Ministri Vengu: Projektligj për krijimin e forcës së rezervistëve në Shqipëri
2024-10-31 09:58:25

Ministri Vengu (Foto Rtsh)

Ministri i Mbrojtjes, Pirro Vengu, deklaroi se po konsiderohet krijimi i forcës së rezervistëve në Shqipëri. Në një deklaratë për mediat, pas përfundimit të mbledhjes së Këshillit të Ministrave, ministri Vengu tha se përmes këtij projektligji i hapen dyert karrierës ushtarake dhe po ashtu është edhe një afrim me standardet e NATO-s, shkruan “RTSH”.

Ai theksoi se synimi është që në fillim të vitit të ardhshëm të fillojnë hapat e parë në krijimin e forcës së rezervistëve.

“Po konsiderojmë krijimin e forcës së rezervistëve në Shqipëri. Kjo i jep mundësi ushtarakëve aktivë që kanë vendosur të zhvillojnë karrierën në privat, i japim mundësinë që të rikthehen në Forcat e Armatosura me misione specifike, me detyrime që mund të mbulojnë misionet paqeruajtëse, misionet me angazhim në NATO dhe rajon. Hapim dyert e karrierës ushtarake. Synojmë që fillimi i vitit të ardhshëm të na gjejë me hapat e para për krijimin e forcës së rezervistëve. Kemi një paketë financiare të konsiderueshme në buxhetin e 2025-s të dedikuar për forcën e rezervistëve prej 15.5 milionë euro. Në këtë mënyrë kthehemi në standardet e NATO-s. Kjo i jep mundësi FA-së së Shqipërisë që të kenë një gamë më të gjerë në dispozicion”,- tha ai.