OKB per Izraelin (Foto Rtsh)
Shefi i UNRWA-së, Philippe Lazzarini, u bëri thirrje shteteve anëtare të Kombeve të Bashkuara që të ndërhyjnë, pasi ndalimi i Agjencisë për Refugjatët Palestinezë nga ana e Izraelit do të ketë pasoja të rënda për të gjithë Lindjen e Mesme, shkruan “RTSH”.
Në një letër drejtuar presidentit të Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së, ai thotë se lëvizja e Izraelit do të thotë se misioni i UNRWA-së për të ofruar kujdes shëndetësor, arsim dhe ushqim për miliona refugjatë palestinezë mund të bëhet i pamundur pa ndërhyrjen vendimtare të këtij organi.
Ai theksoi se pasojat për palestinezët, për Izraelin dhe për rajonin do të jenë të rënda.
Në letër, Lazzarini tha se ndalimi mund të rrezikonte kolapsin e operacioneve të UNRWA-së në Bregun Perëndimor, përfshirë Jeruzalemin Lindor, dhe do të kishte ndikim katastrofik në përgjigjen ndërkombëtare ndaj krizës humanitare në Gaza.
“U bëj thirrje shteteve anëtare të ndërmarrin veprime për të mbështetur UNRWA-në në përpjesëtim me peshën e situatës dhe rreziqet”,- theksoi Lazzarini në një postim në “X”.
Ndalimi i miratuar nga Parlamenti i Izraelit të hënën pritet të kufizojë ashpër UNRWA-në nga operimi në territoret që Izraeli pushton dhe është kritikuar ashpër nga shumë vende perëndimore dhe organizata humanitare.
Izraeli akuzoi më parë stafin e UNRWA-së për pjesëmarrje në sulmin e Hamasit më 7 tetor, gjë që agjencia e mohoi me forcë.