Gazë/Foto nga VCG
Drejtori i përgjithshëm i Organizatës Botërore të Shëndetësisë (OBSH), Tedros Adhanom Ghebreyesus, deklaroi se miratimi i projektligjit që do t’i jepte fund aktiviteteve të Agjencisë së OKB-së për Ndihmën e Refugjatëve Palestinezë në Lindjen e Afërt (UNRWA) nga Parlamenti izraelit do të ketë pasoja shkatërruese, shkruan “RTSH”.
Në një postim në “X”, Ghebreyesus vuri në dukje se UNRWA-ja është organizatë e pazëvendësueshme për popullin palestinez, me një mision që e kryen prej 70 vitesh.
“UNRWA u themelua nga vendet anëtare të OKB-së. Vendimi i marrë nga Parlamenti izraelit për të ndaluar punën e agjencisë për shpëtimin e jetës dhe shëndetit në emër të miliona palestinezëve do të ketë pasoja shkatërruese. Kjo është e papranueshme”,- tha Ghebreyesus, i cili theksoi se vendimi është në kundërshtim me detyrimet dhe përgjegjësitë e Izraelit dhe kërcënon jetën dhe shëndetin e kujtdo që i beson UNRWA-së.
Parlamenti izraelit miratoi të hënën projektligjin i cili parashikon përfundimin e aktiviteteve të UNRWA-së.
Qeveria izraelite filloi fushatë njollosëse kundër UNRWA-së njëkohësisht me fillimin e sulmeve të saj në Rripin e Gazës më 7 tetor 2023 dhe mbrojti idenë se Agjencia duhet të mbyllet, duke pretenduar se 14 punonjës të UNRWA-së kanë marrë pjesë në sulmet e 7 tetorit.