Tre ndërtesa të lashta të dinastisë Tang në Kinë
2024-10-31 12:22:30

Foto nga VCG

Foto nga VCG

Kohët e fundit, videoloja "Miti i zi: Wukong" e prodhuar nga kompania e teknologjisë ndërvepruese "Game Science" e Shenzhen-it të Kinës ka pushtuar botën e lojërave kompjuterike. E konsideruar si loja e parë kineze "3A", "Miti i zi: Wukong" kryesoi listën e "lojërave më të luajtura" në "Steam", një nga platformat kryesore të lojërave kompjuterike, vetëm një orë pas publikimit të saj.

Loja "Miti i zi: Wukong" është frymëzuar nga romani klasik kinez "Udhëtim për në Perëndim", që flet për aventurat e një murgu dhe të tre dishepujve të tij, sidomos të Sun Wukong-ut, Mbreti Majmun legjendar, i njohur për fuqitë e tij të mbinatyrshme dhe natyrën djallëzore. Lojërat 3A, që zakonisht përkufizohen si "shumë para, shumë kohë dhe shumë burime," ose lojëra të pavarura me kosto të lartë, shitje të madhe dhe cilësi të lartë, zakonisht mbizotërohen prej krijuesve nga vende si Japonia, ShBA-ja dhe Franca.

Në këtë lojë, shumë skena bazohen në ndërtesat antike ekzistuese në provincën Shanxi të Kinës Veriore. Për të prodhuar një videolojë të përsosur, krijuesit e "Miti i zi: Wukong" vizituan enkas shumë ndërtesa të tilla në Shanxi, duke i kopjuar në lojë. Prandaj lojtarët mund të vizitojnë shumë ndërtesa të bukura të lashta kineze në lojë duke ndjekur hapat e Sun Wukong-ut.

Provinca Shanxi është një nga vatrat e kombit kinez dhe quhet "muzeu i ndërtesave të lashta" në Kinë. Sot në Kinë kanë mbetur vetëm tre ndërtesa të dinastisë Tang (618-907), dhe që të treja ato ndodhen në Shanxi.

Tempulli "Nanchan" (Foto nga VCG)

I pari është tempulli "Nanchan" i ndërtuar në vitin 782. Ai gjendet në qytetin Xinzhou në veri të provincës Shanxi dhe është ndërtesa më e vjetër prej druri e mbijetuar në Kinë. Tempulli shfaq plotësisht stilin e thjeshtë e madhështor të arkitekturës prej druri të dinastisë Tang. Në të ka një tribunë të madhe budash ku gjenden shumë skulptura me ngjyra të bëra gjatë dinastisë Tang.

Tempulli "Guangrenwang" (Foto nga VCG)

I dyti është tempulli "Guangrenwang", i ndërtuar në vitin 831. Ky është i vetmi tempull taoist ndër tre ndërtesat antike të dinastisë Tang dhe gjendet në kontenë Ruicheng në jug të provincës Shanxi. Tempulli u ndërtua për t'iu kushtuar zotit të ujit Guangrenwang. Përpara tempullit ishte burimi "Pesë dragonjtë", dhe uji buronte nga pjesa e përparme e themelit të tempullit.

Tempulli "Foguang" (Foto nga VCG)

E treta është salla lindore e tempullit "Foguang" e ndërtuar në vitin 857. Edhe tempulli "Foguang" gjendet në qytetin Xinzhou dhe arkitekti kinez Liang Sicheng e ka quajtur atë si "thesari i parë kombëtar i Kinës". Arkitektura, skulpturat, muralet dhe mbishkrimet e dinastisë Tang njihen si "katër mrekullitë" e tempullit "Foguang", të cilat kanë vlerë jashtëzakonisht të lartë historike e artistike.

Videoloja "Miti i zi: Wukong" ka ngjallur hovin e turizmit në Shanxi, ndërsa turistë kinezë e të huaj habiten nga magjia e jashtëzakonshme e ndërtesave antike në këtë provincë. Këto ndërtesa janë trashëgimi e përbashkët kulturore e njerëzimit. (Fani)