Spiropali (Foto Rtsh)
Kryetarja e Kuvendit të Shqipërisë, Elisa Spiropali, gjatë vizitës së zhvilluar në Romë, u takua me presidentin e Dhomës së Deputetëve, Lorenzo Fontana, dhe me presidentin e Senatit, Ignazio La Russa, shkruan “RTSH”.
Në takime ishin të pranishëm edhe deputeti Arben Pëllumbi, kryetar i Grupit NdërParlamentar të Miqësisë Shqipëri-Itali, deputetja Blerina Gjylameti, anëtare e këtij grupi, dhe ambasadorja e Shqipërisë në Itali, Anila Bitri Lani.
Kryetarja Spiropali vlerësoi marrëdhëniet e shkëlqyera mes Shqipërisë dhe Italisë dhe angazhimin për thellimin e partneritetit strategjik, bazuar në marrëdhëniet e qëndrueshme historike, kulturore, ekonomike dhe njerëzore mes vendeve e popujve tanë.
Spiropali shprehu mirënjohjen për mbështetjen e vazhdueshme të Italisë për anëtarësimin e Shqipërisë në BE dhe bindjen për vijimin e kësaj mbështetjeje edhe gjatë zhvillimit të negociatave.
Sipas kryeparlamentares Spiropali, marrëveshja për njohjen reciproke të sigurimeve shoqërore dhe pensioneve, e cila pritet të ratifikohet së shpejti nga Dhoma e Deputetëve dhe Senati italian, tregon se bashkëpunimi mes autoriteteve të të dy vendeve u shërben qytetarëve.
Po ashtu, ajo theksoi se protokolli për forcimin e bashkëpunimit në fushën e emigracionit është një angazhim i Shqipërisë për frenimin dhe kontrollin e emigracionit të parregullt si dhe kontribut për zgjidhjen e problemeve në sistemin global të emigracionit
Gjatë takimeve u vlerësua roli i komunitetit shqiptar në Itali, të komunitetit arbëresh dhe diasporës së re, si dhe të qytetarëve italiane në Shqipëri, si ura bashkëpunimi e miqësie mes dy vendeve.