Turizmi gjithëvjetor, pozitiv për ekonominë e kryeqytetit shqiptar
2024-10-31 10:45:25

Turizmi ka përshpejtuar rritjen ekonomike në Shqipëri. Sipas të dhënave zyrtare në 6 muaj ekonomia ka pasur një rritje me rreth 4%. Kryeqyteti është një nga destinacionet që nuk njeh sezon, pasi është kthyer në atraksion gjithëvjetor për vizitorët. Kjo ka dhënë efekt pozitiv në shumë drejtime në ekonomi. Nënkryetari i Bashkisë së Tiranës Andi Seferi thotë në një intervistë për mediat se Tirana është në ditët e saj më të mira.

Tregtim i objekteve turistike në Tiranë (Foto Facebook)

Tregtim i objekteve turistike në Tiranë (Foto Facebook)

“Motorët ekonomikë të biznesit në Bashkinë e Tiranës janë të ndezur prej kohësh dhe realisht ajo që mund të themi është që qyteti i Tiranës është në ditët e veta më të mira që nga themelimi i tij, 104 vite më pare dhe po përjeton zhvillim  duke u bërë realisht qendra evropiane e Ballkanit. Nga shumë këndvështrime por mbi të gjitha nga puna gjigante që është bërë gjithë këto vite për të arritur këtë zhvillim të qëndrueshëm të ekonomisë së qytetit dhe vendit, por edhe për ta kthyer Tiranën në një pol të turizmit, në një pol të zhvillimit ekonomik. Nuk mund të kemi ecje të një anshme nëse nuk do të ketë një koordinim mes politikave zhvillimore që qyteti prodhon në zhvillim të tij.”- tha Seferi.

Kjo është një klimë pozitive për biznesin.

“Unë do të doja të sillja në vëmendje që tanimë shkalla e krahasimit nuk është më me vitet e mëparshme, por është me muajt e mëparshëm, që do të thotë nga viti në vit Tirana, duke qenë një qendër zhvillimi ka ofruar dhe ofron në mënyrë progresivisht rritëse mundësi nga më të mirat për biznes. Në vitin 2022 Tirana ishte kryeqyteti Evropian i Rinisë dhe shumë ura bashkëpunimi, aktivitete dhe marrëdhënie u krijuan mes institucioneve evropiane dhe shqiptare, duke ndikuar në rritjen ekonomike”

Turistë në Tiranë (Foto Shqiptarja .com)

Turistë në Tiranë (Foto Shqiptarja .com)

Tirana është kthyer në një qendër të  rëndësishme për shumë aktivitete.

“Vitin e kaluar Tirana ishte Qyteti evropian i Sportit dhe shumë aktivitete sporti botërore dhe evropiane u zhvilluan.  Ky  është një zhvillim ekonomik për qytetin e Tiranës. Këtë vit Tirana kryeson B40 ku nëpërmjet samiteve të ndryshme, aktiviteteve evropiane vitin tjetër Tirana është zgjedhur kryeqyteti mesdhetar i kulturës dhe dialogut. Vetëm nga ky këndvështrim, duke krijuar ura bashkëpunimi, duke bërë që Tirana të njihet është një produkt që i ngelet kryeqytetit, por nga ana tjetër kemi një zhvillim sektorial. Ky kryeqytet bëhet mikpritës duke u rregulluar, duke u sistemuar, duke u zhvilluar në të gjithë komponentët e jetës, që nga rrugët, zhvillimi infrastrukturor, njësive rurale, që kanë pasur një hov në funksion të zhvillimit të turizmit, por dhe të zhvillimit të vetë këtyre njësive për sa i përket ofrimit të shërbimeve, rritjes së vlerës së pronës dhe gjithçka tjetër.”- u shpreh Seferi.

Sipas Seferit, bashkia ka investuar në institucione të ndryshme.

“ Nga ana tjetër jo vetëm rritja e cilësisë së jetës në kryeqytet nëpërmjet rritjes së numrit të shkollave, kopshteve, çerdheve bëjnë që të gjithë këto komponentë të rijetëzohen për të pasur një zhvillim të qëndrueshëm.”

Andi Seferi (Foto Facebook)

Andi Seferi (Foto Facebook)

Investimet po shtrihen edhe në periferi të kryeqytetit.

“Një pasuri e madhe janë zonat rurale, të cilat mbartin në vetvete jo vetëm thjesht një depozitë të të jetuarit shëndetshëm, për sa i përket të produkteve bujqësore dhe blegtorale, por përmbajnë një trashëgimi kulturore dhe shumë vlera të tjera që janë në fokus të turizmit. Për sa i përket aspektit agro, Agroparku i Tiranës tanimë është një realitet modern i mënyrës së zhvillimit të bujqësisë. Krahas punës së fermerëve, është kthyer në një qendër, e cila është dhe agregatori bujqësor, një rregullator i zhvillimit ekonomik.”- u shpreh Seferi.

Banorët e zonave në periferi të Tiranës po shfrytëzojnë resurset e tyre për të bërë biznes në shërbim të turizmit.

“Pikërisht kjo gjë ka bërë tërheqjen dhe krijimin e shumë agroturizmeve, të cilët shfrytëzojnë resurset e fshatrave ku ato ndodhen për t’i ofruar turistëve të huaj dhe vendas një qendër të promovimit të turizmit por dhe të  vlerave që zona mbart. Nga ana tjetër, shtrirja e qytetit Tiranës, ajo që ne mundohemi të bëjmë  çdo ditë në punën tonë nëpërmjet hartimit të politikave dhe strategjive, bëjnë që Tirana të kthehet në një qendër evropiane të Ballkanit, një qytet që zhvillohet dita-ditës. Duke pasur në vizion ardhshmërinë e këtij qyteti, duke ndërtuar anshmërinë e politikave ekonomike, që nga një qytet që para disa vitesh ishte fokusuar tek përpunimi, qepja e këpucëve dhe industria, tani është një qytet që i paraprin zhvillimit evropian.”- tha Seferi

Sipas Instat, sektori i turizmit ka dhënë efekte pozitive në tregti, restorante e akomodim. Negativisht në ecurinë ekonomike kanë kontribuar sektorët e industrisë nxjerrëse,  informacioni dhe komunikacioni.