Tirana (Foto Atsh)
Drejtoresha e përgjithshme e Agjencisë për Zhvillimin Bujqësor dhe Rural (AZHBR), Ardita Kuçi, bëri të ditur se fermerët po vijojnë me interes të shtuar aplikimet në Skemën Kombëtare të Investimeve në Bujqësi.
Gjatë një prononcimi për “ATSH”-në, Kuçi tha se ka një interes të shtuar të fermerëve dhe subjekteve për të aplikuar në një nga pesë masat mbështetëse të Skemën Kombëtare të Investimeve në Bujqësi: ndërtimin e serrave të reja diellore, instalimin e rrjetave antibreshër, ndërtimin e stallave, mekanizimin e bujqësisë, kosha e rrjeta për akuakulturë dhe në stabilimentet e mbarështimit të kafshëve dhe shpendëve.
Sipas saj, kjo skemë adreson mbështetje për zhvillimin e bujqësisë dhe është një mundësi e artë për të gjithë fermerët që do të investojnë.
fermerët shqiptarë/Foto nga VCG
Kuçi vuri në dukje se Skema Kombëtare e Investimeve në Bujqësi është një nismë e qeverisë shqiptare që synon zhvillimin e ekonomisë bujqësore dhe modernizimin e saj.
Fondi në dispozicion është 1.5 miliardë lekë, me shtrirje 2-vjeçare, ku 500 milionë lekë janë për vitin e parë dhe do të shpërndahen në formën e një granti prej 50% për investimet kryesore, në veçanti në ndërtimin e serrave diellore, në rritjen e mekanikës bujqësore, në rrjetat antibreshër, në nxitjen dhe zhvillimin e akuakulturës detare dhe në stabilimentet e mbarështimit të kafshëve dhe shpendëve. Ndërkohë që 30% e totalit të grantit do të jepet në fillim si parapagim. Sipas Kuçit, ky fakt i lehtëson fermerët që të kenë financim paraprakisht dhe në përfundim të projektit të marrin pjesën e mbetur të financimit.
Që prej 30 shtatorit fermerët po aplikojnë për të përfituar nga Skema Kombëtare e Investimeve në Bujqësi 2024. Aplikimet do të vijojnë deri më 8 nëntor 2024.