Kryeministri Rama (Foto Atsh)
Kryeministri Edi Rama deklaroi se qeveria shqiptare po punon për ndërtimin e një skeme të tillë që të përfshijë edhe pensionistët te çdo përqindje rritjeje të ekonomisë, përtej projeksionit të qeverisë.
Gjatë takimit me pensionistët në Durrës, kryeministri Rama tha se një ndër skemat është edhe ndarja e një bonusi të dytë, përveç atij të fundvitit.
Për bonusin e fundvitit, Rama theksoi se do të jetë më i lartë se më parë, shkruan “ATSH”.
“Çdo qindarkë që shtohet është sakrificë. Çdo pension që rritet, rritet përgjithmonë, kostoja është e përhershme në buxhet. Nga indeksimi prej 4.1% kostoja e shtuar në buxhet llogaritet 100 milionë lekë, që do të paguhet çdo vit”, tha Rama.
Kryeministri shpjegoi se nuk mund të paguhen pensionet nga taksat, pasi rregullat përcaktojnë që taksat të përdoren për investime dhe shërbime.
“Sigurimet shoqërore janë të pensionistëve, taksat janë për të bërë investime dhe shërbime ndaj qytetarëve, shkolla, spitale, rrugë, shërbimet e shtetit, për të mbajtur në këmbë trupat që shërbejnë për të gjithë. Kur ndodh që kontributet shoqërore janë më pak sesa duhet, atëherë merren nga taksat. Ia marrim të ardhmes për të garantuar të tashmen e pensionistëve. 500 milionë lekë është çdo vit gropa që duhet të mbushim për pensionet nga mospagimi i detyrimeve të sigurimeve shoqërore”,- deklaroi Rama.
Sipas tij, plani i qeverisë për rritjen e pensioneve ka në fokus luftën ndaj informalitetit në deklarimin e pagave. Përveç kësaj, theksoi ai, qeveria do të shtojë edhe pjesën e saj nga buxheti.
Kryeministri po ashtu i drejtoi apel edhe biznesit të vogël të deklarojë pagat reale dhe të paguajë sigurimet shoqërore dhe shëndetësore.