Turqia: Masa e Izraelit për të ndaluar UNRWA-në shkel ligjin ndërkombëtar
2024-10-30 16:32:52

UNRWA ndihma (Foto RTSH)

Ministria e Jashtme e Turqisë bëri të ditur se vendimi i Izraelit për të ndaluar agjencinë e ndihmës së Organizatës së Kombeve të Bashkuara, UNRWA, që të veprojë brenda vendit është një shkelje e qartë e ligjit ndërkombëtar, që synon të parandalojë kthimin e palestinezëve të zhvendosur.

Përmes një deklarate për mediat, Ministria e Jashtme turke njoftoi se masa synon të pengojë përpjekjet për të arritur një zgjidhje me dy shtete për konfliktin izraelito-palestinez, duke shtuar se UNRWA-ja ofron ndihmë jetike për palestinezët, citon “RTSH”.

“Është detyrim ligjor dhe moral i komunitetit ndërkombëtar që të mbajë një qëndrim të fortë kundër përpjekjeve për të ndaluar UNRWA-në, e cila u krijua me një rezolutë të Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së”,- thuhet në deklaratën e Ministrisë së Jashtme turke.

Gjithashtu, edhe Shtetet e Bashkuara dhe aleatë të tjerë të Izraelit kanë shprehur shqetësim serioz pas vendimit të Parlamentit, që ndalon agjencinë e OKB-së për refugjatët palestinezë të punojë brenda vendit.