MF: 161.8 miliardë lekë investime publike në 2025-n, projektet që mbështeten
2024-10-30 16:22:50

foto ATSh

Investimet publike për vitin 2025 janë planifikuar në masën 6.2% të prodhimit të brendshëm bruto ose 161.8 miliardë lekë, përfshirë edhe fondin e rindërtimit në shumën 5 miliardë lekë dhe 4.5 miliardë lekë financime të pritshme mbi bazë projektesh nga Plani i Rritjes i BE-së.

Ministria e Financave publikoi projektbuxhetin për vitin 2025, sipas të cilit, në planifikimin e investimeve janë mbajtur në konsideratë të gjitha detyrimet kontraktuale për projektet e investimeve me financim të huaj dhe të brendshëm dhe do të ketë përparësi financimi i projekteve në vazhdim, citon “ATSH”.

Në raport me buxhetin e rishikuar të vitit 2024, vëllimi i investimeve publike në vitin 2025 parashikohet me rreth 11 miliardë lekë më shumë.

Për tre vitet e ardhshme, kontratat koncesionare që do të mbështeten me fonde nga buxheti i shtetit janë Rruga e Arbrit, rruga Milot-Morinë dhe rruga Orikum-Dukat, bajpas-Porti i Jahteve.

Projektet kryesore për periudhën afatmesme janë akset Elbasan-Lekaj; bajpasi i Elbasanit; Elbasan-Qafë Thanë; zgjerimi i autostradës Tiranë-Durrës; Berat-Ballaban; projekti i përmirësimit dhe rehabilitimit të urave me kredi të Bankës Botërore; aeroporti i Vlorës, porti i ri Porto Romano-Durrës; Triporti, Vlorë, hekurudha Tiranë-Durrës dhe Tiranë-Rinas; hekurudha Vorë-Hani i Hotit.

Po ashtu do të investohet për mirëmbajtjen e 3 532 km rrugë në të gjithë territorin.