Borxhi (Foto ATSH)
Borxhi publik bruto do të vijojë trajektoren rënëse. Këtë vit parashikohet që borxhi publik bruto të bjerë në rreth 56.3% të Prodhimit të Brendshëm Bruto dhe pritet të vijojë të bjerë më tej në rreth 55.8% në vitin 2025.
Sipas skenarit bazë, borxhi publik bruto pritet të bjerë në rreth 55% në vitin 2026 dhe më tej në rreth 48.5% në vitin 2031.
Sipas projektbuxhetit të publikuar nga Ministria e Financave, huamarrja e brendshme gjatë vitit 2025 planifikohet në një vlerë prej 50 miliardë lekë, në të njëjtin nivel me vitin 2024, shkruan “ATSH”.
Huamarrja e re në tregun e brendshëm pritet të realizohet kryesisht nëpërmjet titujve shtetërorë afatgjatë në përputhje me objektivat për reduktimin e risqeve, por gjithashtu duke iu përshtatur edhe preferencave të investitorëve për titujt.
Bazuar në normat më të fundit të interesit, si edhe bazuar në nivelin e huamarrjes së brendshme dhe asaj të jashtme për vitin 2024 dhe 2025, shpenzimet për interesa në tregun e huaj pritet të jenë në nivele të krahasueshme me vitin 2024, ndërkohë në tregun e brendshëm shpenzimet për interesa janë planifikuar me një rritje prej rreth 3.4 miliardë leksh krahasuar me vitin 2024.