Firmoset marrëveshja, punësim dhe formim profesional për riintegrimin e të dënuarve
2024-10-30 16:30:36

Drejtori i Burgjeve, Klevis Qose dhe kryebashkiakja e Durrësit, Emiriana Sako (Foto ATSH)

Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve nënshkroi një marrëveshje bashkëpunimi me bashkinë e Durrësit, që synon riintegrimin e të dënuarve në komunitet, bën të ditur “ATSH”.

Lajmin e bëri të ditur, nëpërmjet një postimi në rrjetet sociale, drejtori i përgjithshëm i Burgjeve, Klevis Qose, i cili e nënshkroi marrëveshjen me kryetaren e Bashkisë së Durrësit, Emiriana Sako.

“Përmes këtij partneriteti synojmë që t’iu krijojmë mundësi të dënuarve për t’u riintegruar me sukses në shoqëri, duke iu ofruar mbështetje konkrete në fusha si punësimi dhe formimi profesional”,- shkroi Qose.

Ai nënvizoi më tej se ky është një angazhim i përbashkët për një të ardhme më të sigurt, ku çdo individ ka mundësinë të rikthehet dhe të japë kontributin e tij në komunitet.