
Foto nga VCG
Një ekip mjekësh kinezë ka zhvilluar një sistem termografie infra të kuqe të bazuar në inteligjencën artificiale (AI-IRT), për kontrollin e kancerit të gjirit, duke u mundësuar përdoruesve të kontrollojnë me lehtësi nivelet e tyre të rrezikut të kancerit, përmes një aplikacioni duke lidhur kamerat infra të kuqe me telefonat inteligjentë, shkruan “Xinhua”.
Sipas ekipit hulumtues nga Spitali i Kolegjit Mjekësor të Pekinit (PUMCH), sistemi është i përbërë nga një kamerë infra të kuqe, një algoritëm të inteligjencës artificiale dhe një platformë me të dhëna të mëdha.
Pas lidhjes së kamerave infra të kuqe me telefonat inteligjentë, përdoruesit mund t'i përdorin kamerat për të kapur imazhe termike të gjoksit të tyre. Këto më pas ngarkohen në një aplikacion telefoni dhe përpunohen automatikisht nga algoritmi i inteligjencës artificiale, me rezultatet që tregojnë nivele të ndryshme të rrezikut të kancerit.
Ekipi hulumtues pret që sistemi të shërbejë si një zgjidhje më e përshtatshme, e saktë dhe me kosto efektive për ekzaminimin paraklinik të kancerit të gjirit për gratë kineze.
Aktualisht, vetekzaminimi i gjirit është metoda kryesore e shqyrtimit paraklinik, megjithatë shumica e grave nuk kryejnë rregullisht vetëkontroll të gjirit ose nuk përdorin teknikat e duhura.
Kanceri i gjirit është një problem i madh për shëndetin e femrave në Kinë. Në vitin 2022, Kina regjistroi 357.200 raste të reja të kancerit të gjirit, kanceri i dytë më i përhapur te femrat në atë vit, dhe 75.000 vdekje nga sëmundja.
“Diagnoza dhe ekzaminimi i hershëm janë çelësi për trajtimin e kancerit të gjirit”,- deklaroi Sun Qiang, mjek kryesor i gjirit në PUMCH dhe anëtar i ekipit hulumtues. Krahasuar me metodat kryesore të shqyrtimit klinik si ekzaminimi me ultratinguj, mamografia dhe imazhet me rezonancë magnetike (MRI), sistemi AI-IRT si një metodë e shqyrtimit paraklinik në shkallë të gjerë ka avantazhet e të qenit joinvaziv, pa rrezatim, i shpejtë dhe më i përballueshëm.
“Është një zgjidhje kineze për ekzaminimin paraklinik të kancerit të gjirit për femrat kineze”,- tha Zhou Yidong, drejtor i departamentit të kirurgjisë së gjirit të PUMCH.
Bazuar në gjetjet e tyre aktuale, studiuesit shpresojnë të prezantojnë sistemin AI-IRT për publikun për përdorim në shtëpi dhe në qendrat shëndetësore të komunitetit në të ardhmen, duke kursyer mundimin e caktimit të takimeve në spital paraprakisht dhe duke pritur me ditë për të kryer ekzaminime klinike.
Wang Xuefei, mjek në departamentin e kirurgjisë së gjirit në PUMCH dhe anëtar i ekipit hulumtues, tha se megjithëse rezultatet kërkojnë studime të vlefshmërisë me cilësi më të lartë për konfirmim të mëtejshëm, është e sigurt që sistemi AI-IRT ka një potencial të jashtëzakonshëm.
Sipas studiuesve, ata kanë përfunduar transferimin e teknologjisë së harduerit bazë për sistemin AI-IRT.
