Matilda Zizolli është kandidate për doktoraturë në Psikologji Klinike dhe mban titullin Master Shkencor në këtë fushë nga Universiteti i Tiranës. Aktualisht, ajo është Drejtore e Kujdesit Shëndetësor dhe Shërbimeve të Integruara në Bashkinë e Tiranës, ku ka udhëhequr projekte të rëndësishme për integrimin e shërbimeve për grupet vulnerabël dhe për avancimin e reformës bio-psiko-sociale për personat me aftësi të kufizuara. Nëpërmjet rolit të saj, Matilda ka luajtur një rol kyç në zhvillimin dhe zbatimin e politikave që prioritizojnë mbështetjen gjithëpërfshirëse duke u siguruar që shërbimet shëndetësore të adresojnë jo vetëm nevojat mjekësore, por edhe ato sociale dhe psikologjike, duke përmirësuar cilësinë e jetës për komunitetet e margjinalizuara.
Matilda Zizolli ne nje dite rutine pune ( foto personale)
Karriera e saj karakterizohet nga një përkushtim i lartë ndaj shërbimit publik. Përpjekjet e Matildës kanë kontribuar në ndryshime të qëndrueshme në infrastrukturën e mbështetjes sociale të Tiranës, duke dëshmuar përkushtimin e saj për përmirësimin e shërbimeve të shëndetit mendor dhe avokimin për një sistem shëndetësor më gjithëpërfshirës. Matilda është gjithashtu kandidate për deputete në platformën “Deputeti që Duam”, ku synon të sjellë përvojën e saj të gjerë në kujdesin social dhe shëndetin publik në një platformë më të gjerë legjislative. Ajo synon të mbështesë politika progresive që adresojnë nevojat e popullatave vulnerabël, me theks të veçantë në shëndetin mendor, integrimin social dhe aksesin e barabartë në burimet e kujdesit shëndetësor në mbarë Shqipërinë.
CMG: Ju keni pasur gjithmonë angazhime publike dhe tani jeni pjesë e platformës "Deputeti që Duam". E keni pasur prej kohësh synimin që të kontribuoni në komunitet?
Matilda Zizolli: Duke kujtuar fëmijërinë, mendoj se ajo ka luajtur rol kyç në formësimin tim. Kam kaluar nga jeta në fshat në qytet dhe kam marrë shumë dashuri nga prindërit dhe gjyshërit e mi, që ishin figura të fuqishme frymëzuese. Në lagjen e gjyshes kishte shumë njerëz në vështirësi ekonomike dhe ajo i ndihmonte pa hezitim. Kjo përvojë më ka dhënë filozofinë e humanizmit dhe pasionin për të ndihmuar të tjerët. Ky shpirt solidariteti dhe mbështetjeje është bërë pjesë e pandashme e jetës sime dhe ka ndikuar zgjedhjet e mia në arsim dhe në punë. Për mua, është thelbësore që çdo gjë që bëj, ta bëj me dashuri dhe përkushtim ndaj atyre që kanë më shumë nevojë.
Matilda Zizolli ne nje dite rutine pune ( foto personale)
CMG: A është e vështirë të hartohen dhe të menaxhohen politikat sociale?
Matilda Zizolli: Politikat sociale janë sfiduese, por po aq të rëndësishme. Suksesi nuk është kurrë personal, është rezultat i punës së grupeve të mëdha që bashkëpunojnë për një qëllim të përbashkët. Karrierën time e kam nisur si specialiste në terren, duke punuar për të identifikuar fëmijët që jetonin në situata të vështira në rrugë. Përmes kësaj pune, kuptova fuqinë e politikave sociale për të ndryshuar jetën e njerëzve. Më vonë fillova të punoj me fëmijët me aftësi të kufizuara, një fushë sfiduese në Shqipëri për shkak të mungesës së traditës së gjatë në shërbimet sociale. Gjithësesi, kemi bërë hapa përpara, duke ndërtuar shërbime të reja dhe vendosur protokolle të mbrojtjes për fëmijët, që të sigurojmë një standard për mbrojtjen e tyre në situata të rrezikshme. Sfida e vërtetë mbetet sensibilizimi i komunitetit dhe pranimi i personave që janë ndryshe. Është e rëndësishme që shoqëria të jetë mbështetëse, duke pranuar dhe integruar të gjithë, që të arrijmë sukses të qëndrueshëm.
Matilda Zizolli ( foto personale)
CMG: Si e përkufizoni ju suksesin?
Matilda Zizolli: Suksesi nuk është thjesht arritja e një karriere brilante. Suksesi është shpëtimi i jetës së një fëmije, dhënia e një mundësie për dikë për të parë jetën nga një perspektivë e re. Në shërbimin social, suksesi është mirënjohja e atyre që kemi ndihmuar, ajo ndjenjë që të jep përmbushje të thellë. Çdo ndryshim i vogël që bëjmë për të përmirësuar jetën e dikujt është një hap drejt suksesit të vërtetë, dhe ky reflektim më ka udhëhequr shumë në punën time.
Matilda Zizolli ( foto personale)
CMG: A është sfidë të jesh pjesë e platformës “Deputeti që Duam”?
Matilda Zizolli: "Deputeti që Duam" është platforma e duhur për këdo që dëshiron të bëjë ndryshime të mëdha në komunitet. Ndryshimet që kemi nevojë për të ndërtuar një shoqëri më të mirë vijnë përmes politikës, ndaj edhe vendosa të dëgjoj zërin tim të brendshëm dhe të aplikoj! Fokusi im është jeta sociale dhe zgjerimi i shërbimeve për të rinjtë, që janë në rrezik trafikimi dhe abuzimi. Gjithmonë përpiqem të bëj gjërat që di më mirë dhe për një terren që e njoh prej dymbëdhjetë vitesh. Kam kontakte thuajse në gjithë Tiranën dhe kjo përvojë më ndihmon të ndihem e sigurt se mund të jap më të mirën për komunitetin tim.
CMG: Cilat janë disa nga cilësitë që ju përshkruajnë si individ?
Matilda Zizolli: Besoj se empatia është një nga karakteristikat e mia kryesore. Guximi dhe qëndrueshmëria janë gjithashtu cilësi që më kanë ndihmuar të përballem me sfida të ndryshme, ndërkohë që jam gjithashtu pasionante për atë që bëj. Kam besuar gjithmonë se fati është me ata që kanë guxim për të ndjekur ëndrrat dhe që nuk dorëzohen përballë vështirësive.
Intervistoi Megi Latifi