Skema e pensioneve, Balluku: Kemi ulur me 5 vjet moshën e daljes në pension për naftëtarët
2024-10-30 15:17:09

Belinda Balluku (Foto ATSH)

Zëvendëskryeministrja, njëherësh ministre e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku, tha se qeveria është angazhuar për të ndërmarrë një reformë të thellë në skemën e pensioneve, me fokus uljen e informalitetit dhe rritjen e pensioneve.

E pranishme në takimin që u zhvillua në Fier, ministrja Balluku tha se ky qark regjistron një rritje të ndjeshme të numrit të pensionistëve me bazë vjetore.

Sipas saj, deri në fund të vitit 2023, në qarkun e Fierit numëroheshin 80.709 pensionistë, ndërsa këtë vit janë 82.342 pensionistë.

Teksa ndau të dhëna mbi pensionet e fshatit dhe ato të qytetit, Balluku tha se në qarkun e Fierit ka 6 mijë pensione suplementare, ndërsa për naftëtarët është ulur me 5 vjet mosha e daljes në pension, citon “ATSH”.

Ajo vuri në dukje se gjatë diskutimeve të ndërmarra së fundmi, me dëgjesat publike mbi skemën e pensioneve me qytetarë në zona të ndryshme të vendit, janë trajtuar çështje të ndryshme për skemën e pensioneve, ku fokus është ulja e informalitet për kontributet që vijnë nga krahu i punës.