Zgjedhjet presidenciale në SHBA, digjen kutitë e votimit në disa shtete
2024-10-30 11:51:59

Foto nga VCG

Foto nga VCG

Një seri sulmesh ndaj kutive të votimit në disa shtete amerikane po rrit trysninë ndaj zyrtarëve shtetërorë dhe lokalë, të cilët shpresojnë të mbikëqyrin një proces zgjedhor të sigurt dhe paqësor, si në votimet e hershme që po zhvillohen në pjesën më të madhe të vendit, ashtu edhe kur miliona amerikanë t’u drejtohen qendrave të votimit javën e ardhshme.

Shteti i Uashingtonit konfirmoi se policia lokale dhe FBI-ja po hetojnë të dhënat lidhur mbi dyshimet se një pajisje ndezëse ishte vendosur në një kuti të mbledhjes së votave në Vankuver, shkruan “Panorama”.

Zyrtarët thanë se nuk pati të lënduar, por se disa nga fletët e votimit ishin dëmtuar. Në videot e transmetuara nga mediat lokale dukeshin zjarrfikësit në vendngjarje, ndërsa disa nga fletët e votimit digjeshin në tokë.

Më herët, zyrtarët në qytetin Portland të shtetit të Oregonit, njoftuan se në një nga kutitë e mbledhjes së votave ishte vendosur një pajisje ndezëse.

Falë një mekanizmi kundër zjarrit, u bë e mundur që të shmangej dëmtimi masiv i të fletëve të votimit. Vetëm tre prej tyre u dëmtuan.

“Sulmi ndaj kutive të votimit është një sulm ndaj demokracisë dhe është krejtësisht e papranueshme”,-  tha sekretarja e Shtetit të Oregonit në një deklaratë.

Sulmet ndaj kutive postare po ndodhin në një kohë që zyrtarët amerikanë të sigurisë po lëshojnë paalajmërime për dhunën e mundshme të lidhur me zgjedhjet nga ekstremistë në SHBA.