Foto nga VCG
Shtetet e Bashkuara dhe aleatë të tjerë të Izraelit kanë shprehur shqetësim serioz pas vendimit të Parlamentit, që ndalon agjencinë e OKB-së për refugjatët palestinezë të punojë brenda vendit.
Departamenti Amerikan i Shtetit bëri të ditur se agjencia luan një rol kritik në shpërndarjen e ndihmave humanitare në Rripin e Gazës dhe se askush nuk mund ta zëvendësojë atë tani në mes të krizës, citon “RTSH”.
“Ne vazhdojmë t'i bëjmë thirrje qeverisë së Izraelit që të ndalojë zbatimin e këtij legjislacioni”,- tha zëdhënësi i Departamentit të Shtetit të SHBA-së, Matthew Miller.
Kryeministri i Mbretërisë së Bashkuar, Keir Starmer, tha se ishte shumë i shqetësuar dhe se ligji rrezikon ta bëjë të pamundur punën thelbësore të UNRWA-së për palestinezët, duke rrezikuar përgjigjen humanitare ndërkombëtare në Gaza.
Komisionerja gjermane për Politikën e të Drejtave të Njeriut dhe Ndihmën Humanitare, Luise Amtsberg, paralajmëroi se masa do ta bënte të pamundur punën e agjencisë në Gaza, Bregun Perëndimor dhe Jeruzalemin Lindor, duke rrezikuar ndihmën jetike humanitare për miliona njerëz.
Qeveritë e Sllovenisë, Irlandës, Spanjës dhe Norvegjisë lëshuan një deklaratë të përbashkët, duke dënuar vendimin e Izraelit dhe paralajmëruan se ai vendosi një precedent shumë serioz për punën e OKB-së dhe të gjitha organizatave të sistemit shumëpalësh.