Hoxha-Abbott: Bashkëpunimi për reduktimin e emigracionit, model i suksesshëm
2024-10-30 10:10:07

Ervin Hoxha dhe Nicholas Abbott (Foto ATSH)

Bashkëpunimi mes Shqipërisë dhe Mbretërisë së Bashkuar për reduktimin e emigracionit të paligjshëm, për autoritetet shqiptare, është një model i suksesshëm.

Ministri i Brendshëm, Ervin Hoxha, në një takim me ambasadorin e Mbretërisë së Bashkuar në Tiranë, Nicholas Abbott, vlerësuan lidhjet politike dhe partneritetin e fortë mes dy vendeve. Ata shprehën gatishmërinë për të thelluar bashkëpunimin në fusha me interes të përbashkët, sidomos sa u përket çështjeve të sigurisë, luftës kundër krimit të organizuar, trafikut të armëve dhe drogës, goditjen e transportit të parave dhe të migracionit të parregullt, citon “ATSH”.

Ata gjithashtu vlerësuan bashkëpunimin për Dokumentin e Dialogut kundër Krimit të Organizuar (SOC Dialogue) dhe shprehëm gatishmërinë për ta vijuar koordinimin për finalizimin e tij.

“Ramë dakord për thellimin edhe më tej të bashkëpunimit dypalësh, në funksion të rezultateve më pozitive në të ardhmen, për t’iu shërbyer akoma më shumë qytetarëve të dy vendeve dhe për të rritur standardet e sigurisë”,- theksoi ministri Hoxha.