Flamujt e Shqipërisë dhe Greqisë (Foto ATSH)
Kryeministri Edi Rama deklaroi se qeveria është në diskutime me palën greke për njohjen e pensioneve. Gjatë një takimi me pensionistët në Fier, duke folur në lidhje me reformën në skemën e pensioneve, kreu i qeverisë tha se kjo marrëveshje do të kërkojë kohën e saj, pasi është një vendimmarrje e rëndësishme dhe ka peshën e vet financiare, shkruan “ATSH”.
“Në këtë periudhë të historisë sonë kemi një situatë të trashëguar specifike, pasi shumë njerëz shkuan në emigracion dhe ka plot që kthehen nga emigracioni për të kaluar këtu pensionin dhe tronditen nga masa e pensionit. Por ata njerëz kanë fituar të ardhura në vendin ku kanë qenë në emigracion, kanë paguar atje sigurimet shoqërore, por jo këtu”, - tha Rama.
“Tashmë kemi arritur të lidhim marrëveshje me mbi 20 shtete, ku marrëveshja më e vështirë e lidhur deri tani ishte ajo me Italinë”,- tha kreu i qeverisë shqiptare.