Kina do të përzgjedhë e trajnojë astronautë nga vendet partnere
2024-10-30 17:06:23

foto VCG

Stacioni hapësor kinez "Tiangong" / foto VCG

Kina po angazhohet në diskutime për të përzgjedhur dhe trajnuar astronautë nga vendet partnere për të marrë pjesë në misionet e saj të stacionit hapësinor, tha Lin Xiqiang, zëdhënës i Agjencisë Hapësinore të Kinës (CMSA) në një konferencë për shtyp të martën, në Jiuquan, Kinën veriperëndimore, përpara nisjes së misionit të fluturimit hapësinor me ekuipazh Shenzhou-19, citon “Xinhua”.

Ai theksoi se agjencia mirëpret homologët e saj ndërkombëtarë që të bashkohen në misionet e fluturimit të stacionit hapësinor të vendit.

“Pavarësisht se cili vend merr pjesë, kryesore është kërkimi kolektiv i njerëzimit për të zbuluar misteret e kozmosit”,- tha Lin, duke vënë në dukje se misionet hapësinore me njerëz janë përpjekja më e menjëhershme njerëzore në shfrytëzimin e burimeve hapësinore.

Ekipet bashkëpunuese mes Kinës dhe Zyrës së Kombeve të Bashkuara për Çështjet e Hapësirës së Jashtme po kryejnë eksperimente në orbitë, tha Lin, duke shtuar se janë gati më shumë iniciativa kërkimore eksperimentale bashkëpunuese ndërkombëtare.

Stacioni hapësinor i Kinës, Tiangong, ka mundësi të aplikimit shkencor dhe aftësi mbështetëse gjithëpërfshirëse, ndërsa sistemi i drejtuar nga Shenzhou dhe sistemi i ngarkesave Tianzhou mund të sigurojnë transport të besueshëm dhe të qëndrueshëm vajtje-ardhje për personelin dhe furnizimet midis Tokës dhe hapësirës, tha Lin, duke e cilësuar një platformë të shkëlqyer për bashkëpunim ndërkombëtar.

Kina ka kryer bashkëpunime ndërkombëtare për hapësirën me vende të ndryshme të botës, për përzgjedhjen dhe trajnimin e astronautëve, aplikimet e shkencës hapësinore, objektet në orbitë, të cilat kanë dhënë rezultate të kënaqshme, tha Lin.

Sipas tij, Stacioni Hapësinor i Kinës shërben jo vetëm si një pasuri kombëtare, por edhe si një platformë për avancimin e teknologjisë hapësinore dhe për të sjellë përfitime për të gjithë njerëzimin.