Projektbuxheti 2025 do të jetë 8.2 miliardë euro, 600 milionë euro më shumë se në 2024-n
2024-10-30 15:12:21

Buxheti (Foto ATSH)

Viti 2025 është parashikuar të ketë buxhetin më të madh deri tani, me një vlerë prej 8.2 miliardë euro afërsisht, 600 milionë euro më shumë se buxheti i vitit 2024, bën të ditur “RTSH”.

Dy ministri do të kenë portofolin më të madh, Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale dhe Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë.

Buxheti vendor i vitit 2025 do të jetë rreth 13.2% më i lartë se buxheti i pritshëm vendor për vitin 2024. Në projektbuxhetin e vitit 2025 është parashikuar që një pjesë e fondeve të shkojnë sërish për dixhitalizimin, transportin, sigurinë kombëtare, shëndetësinë, arsimin si dhe për bujqësinë e zhvillimin rural.

Në projektbuxhetin e vitit 2025, Ministria e Financave nuk ka hartuar një paketë të re fiskale, por theksohet se do të vijojnë të jenë në fuqi ligjet tatimore të miratuara në paketat e mëparshme dhe që sjellin efekte në të ardhura në vitin 2025.