Këshilli i Sigurimit mblidhet për Iranin
2024-10-29 11:22:40

Keshilli i Sigurimit (Foto Panorama)

Misioni i Zvicrës në OKB njoftoi mbajtjen e një mbledhjeje të Këshillit të Sigurimit për të diskutuar rreth sulmit të Izraelit ndaj Iranit, shkruan “RTSH”.

“Veprimet e regjimit izraelit përbëjnë një kërcënim të madh për paqen dhe sigurinë ndërkombëtare dhe destabilizojnë më tej një rajon tashmë të brishtë”,- deklaroi ministri i Jashtëm i Iranit, Abbas Araqchi, në një letër drejtuar Këshillit të Sigurimit të përbërë nga 15 vende anëtare.

Ambasadori i Izraelit në OKB, Danny Danon, hodhi poshtë kërkesën e Iranit në OKB.

“Irani po përpiqet të veprojë kundër Izraelit në arenën diplomatike me pretendimin qesharak se vendi im ka shkelur ligjin ndërkombëtar”,- u shpreh ai në një deklaratë.

Sekretari i përgjithshëm i OKB-së, Antonio Guterres, u bëri thirrje të gjitha palëve që të ndërpresin veprimet ushtarake, përfshirë në Gaza dhe Liban, dhe të bëjnë përpjekje maksimale për të parandaluar një luftë gjithëpërfshirëse rajonale.