Porti i Durresit (Foto Rtsh)
Anija turke “Moliva”, që mban 102 kontejnerë, ku dyshohet se ka materiale të rrezikshme, mbërriti mëngjesin e të hënës në Portin e Durrësit. Anija ndaloi 1.5 milje larg në radën e portit, njofton “RTSH”.
Prokuroria e Durrësit ka vendosur sekuestrimin e ngarkesës. Sipas saj, ngarkesa duhet të depozitohen në një vend të sigurt, për siguri mjedisore dhe fizike, duke u monitoruar me kamera 24 orë.
Qeveria shqiptare ka nisur hetimin lidhur me mbetjet e këtyre kontejnerëve, për të përcaktuar nëse materialet janë të rrezikshme apo jo dhe se nga e kanë origjinën.
Hetimet po kryhen në bashkëpunim me Zyrën e Bashkimit Evropian kundër Mashtrimit (OLAF).
Më herët qeveria shqiptare bëri të ditur se vendi nuk mund të pranojë apriori rikthimin e ngarkesave të tilla, aq më tepër vetëm mbi bazën e dyshimeve e të spekulimeve, pa realizimin e analizave dhe provave ligjore të besueshme e të verifikueshme.
Ngarkesa u nis në muajin korrik nga Porti i Durrësit drejt Tajlandës, por kjo e fundit vendosi rikthimin e tyre, duke mos e pranuar ngarkesën.
Një ditë më parë ambientalistë dhe Partia Demokratike në opozitë protestuan në hyrje të Portit të Durrësit, duke kërkuar transparencë mbi mbetjet që dyshohen se janë të rrezikshme.