Risitë e reformës së pensioneve
2024-10-29 09:55:56

Qeveria shqiptare  është duke punuar prej disa muajsh, me asistencën e ekspertëve të Bankës Botërore, për hartimin e një skemë të re të pensioneve, e cila do të trajtojë problematikat e shfaqura përgjatë 10 viteve të reformës së pensioneve, të nisur në vitin 2014.

Kryeministri Edi Rama në takim me pensionistët (Foto Shqiptarja.com)

Kryeministri Edi Rama në takim me pensionistët (Foto Shqiptarja.com)

Në daljet e tij të fundit publike, Kryeministri Rama ka bërë të ditur, se me rishikimin nga themelet te skemës se pensioneve, nuk do të ketë më pension minimal nën 15 mijë lekëve, ose 150 euro në muaj.

Reforma e vitit 2014, e cila nisi të zbatohej nga janari 2015, pati në themel rritjen e viteve të kontributit për sigurimin shoqëror nga 35 në 40 vite, deri në vitin 2032, si dhe rritjen graduale të moshës së daljes në pension për gratë me dy muaj në vit, për të arritur në 63 vjeç në vitin 2032.

Ndërsa vitet e punës për pension u rritën me reformën e vitit 2014, shumica e pensionistëve jo vetëm që nuk arriti të plotësojë kriteret për pension të plotë, por vit pas viti, ata që dilnin në pension kishin më pak vite pune me kontribute dhe merrnin pagesa më të ulta, se sa pensioni mesatar.

Reforma e re do të sjellë ndryshime në llogaritjen e pensionit minimal dhe pensionit social, të cilët sot janë në nivele të njëjta. Do të ndryshohet me ulje edhe numri i viteve të punës për pension minimal dhe pension maksimal. Aktualisht duhen 15 vite pune me sigurime, për të përfituar pension të pjesshëm.

Në vitin 2023, nevojiteshin 38 vite punë me sigurime të paguara, për të arritur pension të plotë. Skema e sotme duhet të ndryshojë dhe të ulë vitet e kontributit për të siguruar pension të plotë. Deri tani, kriteret për vitet e pagesës së kontributeve në Shqipëri janë 5-6 vite më shumë për pensionin e plotë, si dhe 2-3 vite më shumë për pensionin e pjesshëm, krahasuar me vendet e zhvilluara ne Evropë dhe botë.

Reforma e pensioneve (Foto Sot News)

Reforma e pensioneve (Foto Sot News)

Në vende si Shqipëria, ku një pjesë e punonjësve janë informalë, një periudhë e gjatë kontributesh i dekurajon punonjësit që të kontribuojnë, veçanërisht emigrantët, që janë jashtë tregut vendas të punës. Mosplotësimi i kriterit të viteve të punës me sigurime i ul në mënyrë të jashtëzakonshme përfitimet nga pensioni. Reforma e re do ta ndryshojë këtë qasje.

Më 21 tetor në një takim me një grup pensionistësh, kryeministri Edi Rama theksoi se ”Tani kanë ndodhur shumë gjëra pozitive në këtë periudhë, prandaj jemi këtu ne sot, që mund ta bëjmë këtë bisedë me ju.

Unë e kam thënë gjithmonë, pensionet janë ai guri i fundit i këtij muri për Shqipërinë 2030, por ama e kam thënë kohë më parë: do të na duhet kohë. Do na duhet kohë!

Tani jemi në momentin kur kemi filluar të shohim mundësi dhe do fillojmë t’i ndajmë me ju këto mundësi, por ama na duhet të jemi shumë të vetëdijshëm se çfarë po bëjmë të gjithë bashkë. Se kemi nevojë për solidaritet të madh në këtë përpjekje jo për të ndarë çfarë kemi në buxhet, por për të mos lejuar që mijëra, dhjetëra mijëra njerëz normal, njerëz që janë në rregull me ligjin, njerëz që i sheh të marrin më sysh, sa të mirë veshur janë, të mos vjedhin pensionet tuaja çdo muaj si një gjë që është normale”

Më tej kryeministri Rama ka folur për pjesën legjislative.

“Do të bëjmë një ligj, që do të bëjmë një njohje automatike të viteve të punës përpara vitit 1994, që është prapë një barrë direkte për buxhetin e shtetit, por që në fund të ditës, shyqyr që ekonomia po na funksionon dhe që era e ekonomisë është në favor.

Skema e pensioneve (Foto Lapsi.al)

Skema e pensioneve (Foto Lapsi.al)

Si dhe që rritja ekonomike vazhdon dhe do të vazhdojë edhe më shumë vitet e ardhshme. Dhe ky është edhe optimizmi im për pensionet. Qëllimi është që të arrijmë të kushtëzojmë qeverinë me ligj, që në përqindjen e rritjes ekonomike, kur ekonomia ka një rritje ekstra, pensionistët të jenë përfituesit e parë”.

Ministria e Ekonomisë ka hartuar projektligjin për njohjen e periudhave të punësimit në institucionet shtetërore, në ish-ndërmarrjet shtetërore, në ish-ndërmarrjet bujqësore dhe në ish-kooperativat bujqësore për efekt pensioni në sistemin e sigurimeve shoqërore.  Ky projektligj ka si synim që të gjithë të punësuarit në ish-kooperativat bujqësore përpara vitit 1991, dhe ata që kanë punuar në ndërmarrjet shtetërore përpara viti 1993, do t’u njihen vitet e punës, të cilat nuk janë të dokumentuara.

Me miratimin e këtij projektligji, qytetarët që tashmë po mbushin moshën e pensionit, por nuk ju rezultojnë vitet që kanë punuar përpara viti 1993, do t’u njihen periudhat e sigurimit shoqëror, pa pengesa procedurale. Janë mbi 29.500 qytetarë të tillë.

Projektligji, i cili shumë shpejt do të kthehet në ligj, shmang zvarritjen e qytetarëve në dyer të gjykatave, ku ata do të ishin të detyruar të shkonin, për njohjen e viteve të punës në ish-ndërmarrjet shtetërore,  në ish-ndërmarrjet bujqësore dhe në ish-kooperativat bujqësore.

Fatos Çoçoli