Vëzhguesit: Rezultati i zgjedhjeve në Gjeorgji nuk përputhet me vullnetin e popullit
2024-10-29 10:29:28

Osbe (Foto Oranews)

Vëzhguesit europianë deklaruan se zgjedhjet e të dielës në Gjeorgji u zhvilluan në një mjedis përçarës, me kërcënime të përhapura dhe raste të dhunës fizike, të cilat minuan rezultatin e votimeve, shkruan “RTSH”.

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve bëri të ditur se partia në pushtet, Ëndrra Gjeorgjiane, fitoi 54.8% të votave, ndërsa ishin numëruar 100% të tyre. Vëzhguesit vendas gjithashtu njoftuan për shkelje të shumta në proces dhe thanë se rezultatet nuk përputhen me vullnetin e popullit gjeorgjian.

Vëzhguesit e Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Europë thanë se një fushë e pabarabartë e betejës elektorale, sa i takon financimit, minoi besimin te rezultati dhe ngriti pikëpyetje nëse zgjedhjet ishin të drejta.

“Njoftimet për presionit ndaj votuesve, veçanërisht ndaj punonjësve të sektorit publik, ishin të përhapura në këtë fushatë. Kjo, së bashku me gjurmimin e gjerë të votuesve në ditën e zgjedhjeve, ngre shqetësime rreth mundësisë që kishin disa qytetarë për të votuar pa frikën e ndëshkimit”,- tha koordinatori special i OSBE-së, Pascal Allizard.

Gjeogjianët pritej të vendosnin nëse vendi do të vazhdonte rrugën e anëtarësimit në Bashkimin Europian, apo do të zhytej më tej nën ndikimin rus.

Gjeorgjia ishte dikur një nga shtetet më pro perëndimore që doli nga kaosi që pasoi rënien e Bashkimit Sovjetik. Që nga agresioni rus në Ukrainë në shkurt 2022, marrëdhëniet e Gjeorgjisë me Perëndimin kanë pësuar rënie.