AZHBR: Skema Kombëtare 2024, jepen mbi 2 miliardë lekë për fermerët
2024-10-29 10:03:51

Fermere (Foto Oranews)

Agjencia për Zhvillim Bujqësor dhe Rural, nëpërmjet një postimi në rrjetet sociale, bëri të ditur se vijon disbursimin nga Skema Kombëtare e Mbështetjes në Bujqësi 2024, njofton “RTSH”.

AZHBR-ja informon se, deri më tani, janë 59.621 fermerë të financuar me një fond prej 2.18 miliardë lekë, ndërkohë që po vijon intensivisht procesi për kryerjen e pagesave për fermerët e tjerë.

Në Skemën Kombëtare 2024 ofrohet mbështetje për: tufën bazë të matrikulluar (gjedhë dhe të imëta), bletarinë, fermat organike, certifikimin “Global Gap”, fara e fidanë dhe inpute të tjera, bimët mjekësore-aromatike, si dhe mbështetje me naftë për punimet e mekanizuara në bujqësi.

Qëllimi i këtyre masave është ulja e kostove për fermerët dhe rritja e rendimentit të prodhimit vendas.