Armët e dërguara nga Koreja e Veriut në Rusi arrijnë vlerën e 5.5 miliardë dollarëve
2024-10-29 15:08:23

Putin - Kim Jong Un (Foto Atsh)

Putin - Kim Jong Un (Foto Atsh)

Dërgesat e armëve të Koresë së Veriut në Rusi arrijnë në 5.5 miliardë dollarë, sipas një studimi të publikuar nga fondacioni “Friedrich-Naumann”, shkruan “ATSH”.

Raporti nga fondacioni gjerman, i cili konsiderohet i afërt me partinë Demokratët e Lirë (FDP), pro biznesit, të udhëhequr nga ministri i Financave Christian Lindner, parashikoi se vlera e eksporteve të Koresë së Veriut mund të rritet me qindra miliona dollarë përmes një dislokimi të mundshëm të trupave të saj në Ukrainë.

Studimi vlerësoi raportet e Shërbimit Sekret, dokumentet e zbuluara dhe çmimet e municioneve nga marrëveshjet e mëparshme të armëve të Koresë së Veriut.

Bazuar në këtë, raporti vlerëson se vëllimi i dërgesave të armëve të Koresë së Veriut në Rusi që nga shkurti i vitit 2022, kur nisi dhe konflikti me Ukrainën, ishte midis 1.7 miliardë dhe 5.5 miliardë dollarë.

Koreja e Veriut nuk publikon të dhëna për eksportet e saj të armëve, duke e bërë pothuajse të pamundur një vlerësim më të saktë.

Koreja e Veriut mbështet ushtrinë ruse kryesisht me predha artilerie dhe raketa me rreze të shkurtër veprimi, sipas Agjencisë së Inteligjencës së Koresë së Jugut, e cila e bazon raportimin e saj pjesërisht në fotot satelitore që gjurmojnë dërgesat midis Koresë së Veriut dhe Rusisë.