Foto nga China Daily
Ndërsa vjeshta e pikturon qytetin me ngjyra të gjalla, Pekini mirëpriti eventin e artit pamor, edicionin e 12-të të “Photo Beijing 2024”, njohur gjithashtu si Java Ndërkombëtare e Fotografisë së Pekinit, me temë “Imazhi: Jeta-Përjetësia”.
E çelur në Monumentin e Mijëvjeçarit të Kinës në Pekin, në këtë ekspozitë u shfaqën më shumë se 5400 vepra nga mbi 2600 fotografë.
Veprimtaria u organizua bashkërisht nga Ministria e Kulturës dhe Turizmit dhe Qeveria Popullore e Bashkisë së Pekinit me mbështetjen e shoqatave të ndryshme të fotografisë dhe organizatave kulturore.
Në fjalën e tij në ceremoninë e hapjes, Riccardo Busi, president i Federatës Ndërkombëtare të Artit Fotografik, e cilësoi ngjarjen si një platformë të jashtëzakonshme që bashkon fotografët nga mbarë bota, duke i lejuar ata të shkëmbejnë ide artistike dhe të shfaqin talentet e tyre.
“Një ngjarje e tillë nuk ka të bëjë vetëm me celebrimin e fotografisë, por edhe me nxitjen e mirëkuptimit të ndërsjellë dhe ndërtimin e urave midis kulturave”,- tha Busi.
Një partner i kahershëm i “Photo Beijing”, Federata Ndërkombëtare bashkorganizon aktivitetet e shumta të Javës së Fotografisë.
Busi evidentoi seksionin “Një dialog midis tre qyteteve të trashëgimisë botërore: Pekini, Athina dhe Firence”, të organizuar nga Federata Ndërkombëtare e Artit Fotografik në bashkëpunim me Shoqërinë e Fotografisë Artistike të Kinës.
Me 110 vepra nga fotografë kinezë dhe ndërkombëtarë, në ekspozitë u paraqitën peizazhi, historia e nderuar nga koha dhe trashëgimia e pasur kulturore e të tre qyteteve.
“Qëllimet tona shtrihen përtej promovimit të bukurisë së këtyre tre qyteteve. Ne synojmë të forcojmë lidhjet kulturore dhe të nxisim integrimin e turizmit midis Kinës, Greqisë dhe Italisë.
Kjo ekspozitë është një kujtesë e fuqishme e aftësisë së fotografisë për të kapërcyer kohën dhe hapësirën, duke ofruar perspektiva të freskëta dhe një kuptim më të thellë të botës që ndajmë”,- tha Busi.
Yang Yuanxing, drejtor ekzekutiv i Komitetit Organizues të ngjarjes dhe president nderi i Shoqatës së Fotografisë Artistike të Kinës, deklaroi se ngjarja e këtij viti organizoi 58 ekspozita dhe 13 diskutime në panel. Këto aktivitete u bazuan rreth nëntë seksioneve kryesore të Javës së Fotografisë, duke ofruar një eksplorim gjithëpërfshirës të artit pamor dhe rolit të tij në shoqërinë moderne, duke përfshirë imazhin e Kinës bashkëkohore, veprat klasike të fotografëve të njohur, trashëgiminë botërore, monumentet globale dhe dialogët akademikë. Ndërkohë, ato janë gjithashtu të lidhura ngushtë me tendencat në zhvillim dhe temat më të fundit, si zhvillimi me cilësi të lartë, forcat e reja prodhuese cilësore dhe integrimi i thellë i kulturës dhe turizmit. Një tjetër veçori kryesore këtë vit ishte se ngjarja u shtri përtej stacionit bazë, Monumenti i Mijëvjeçarit të Kinës, për të përfshirë 11 vende të tjera rreth Pekinit, si galeritë dhe qendrat e artit, universitetet, parqet dhe madje edhe në një hapësirë të terapisë së artit në spital.
“Punimet variaun nga eksplorimet vizuale të fotografëve të rinj deri te pjesët klasike, përmes lenteve të mjeshtërve të fotografisë. Ato na lejojnë të reflektojmë mbi imazhet historike dhe të fokusohemi te fryma dhe thelbi i epokës së re. Ky diversitet demonstron plotësisht profesionalizmin e Javës së Fotografisë, shtrirjen ndërkombëtare, vlerat artistike dhe ashpërsinë akademike”,- tha Yang.
“Pjesëmarrësit nga vende të ndryshme e sjellin artin fotografik në një pamje më të gjerë për publikun dhe lehtësojnë përvojën e adhuruesve të fotografisë, ku shfaqen gjerësisht sharmi i pafund dhe ndikimi emocional i artit fotografik”- deklaroi Zhao Yingxin, drejtori artistik i ngjarjes.
Ai njoftoi se tema për edicionin e vitit 2025 do të jetë “Imazhi: Qytetërimi-Cilësia e re”, që do të eksplorojë rolin e fotografisë si një formë të forcave të reja prodhuese cilësore për të rritur produktivitetin e avancuar.
“Fotografia jo vetëm që ruan jetën, por gjithashtu ruan qytetërimin. Sot, në një epokë plot me mundësi dhe sfida, fotografia ka hyrë në epokën e inteligjencës artificiale. Si një forcë e re, fotografia do të vazhdojë të drejtojë shkëmbimin dhe shkrirjen e qytetërimeve, të dëshmojë përparimet teknologjike, kujdesin humanist dhe mbrojtjen e mjedisit, si dhe të festojë vlerën e diversitetit kulturor në një shkallë më të gjerë”,- tha Zhao.