
foto nga CMG
Presidenti i Kinës Xi Jinping zhvilloi bisedime të martën pasdite në Pallatin e Madh të Popullit në Pekin me homologun e tij të Finlandës Alexander Stubb, i cili ndodhet për një vizitë shtetërore në Kinë.
Xi Jinping theksoi se Finlanda ishte një nga vendet e para perëndimore që vendosi marrëdhënie diplomatike me Republikën Popullore të Kinës dhe gjithashtu vendi i parë perëndimor që nënshkroi një marrëveshje tregtare ndërqeveritare me të.
Që prej vendosjes së marrëdhënieve diplomatike, Kina dhe Finlanda kanë trajtuar gjithmonë njëra-tjetrën në mënyrë miqësore, me respekt dhe besim të ndërsjellë, duke dhënë shembullin e shkëmbimeve të barabarta midis vendeve që kapërcejnë dallimet historike, kulturore dhe institucionale.
Aktualisht, bota ndodhet në një situatë ndryshimesh të thella e të papara gjatë njëqind viteve të fundit. Rreziqet dhe sfidat me të cilat po përballet shoqëria njerëzore po shtohen. Në këto rrethana, partneriteti i ri i orientuar drejt së ardhmes midis Kinës dhe Finlandës merr një vlerë më unike dhe ia vlen të vlerësohet e të zhvillohet më tej.
Kina është e gatshme të punojë me Finlandën për të forcuar bashkëpunimin strategjik, për të zhvilluar më tej traditën e miqësisë, për të çuar përpara partneritetin e ri bashkëpunues të orientuar drejt së ardhmes midis Kinës dhe Finlandës, në mënyrë që të përfitojnë sa më mirë dy vendet dhe popujt, duke dhënë kontribute të reja për paqen dhe zhvillimin e botës.

foto nga CMG
Xi Jinping theksoi se arsyeja më e rëndësishme për zhvillimin afatgjatë, të shëndetshëm dhe të qëndrueshëm të marrëdhënieve Kinë-Finlandë është se të dy vendet gjithmonë i janë përmbajtur respektit reciprok, e kanë trajtuar njëri-tjetrin si të barabartë dhe janë kujdesur për interesat thelbësore dhe shqetësimet e mëdha të njëri-tjetrit. Bashkëpunimi pragmatik Kinë-Finlandë filloi herët, me arritje të shumta dhe ka potencial të madh.
Nxitja e modernizimit të stilit kinez do të sjellë një shtysë dhe mundësi të reja për bashkëpunimin Kinë-Finlandë dhe zhvillimin global. Ne mirëpresim Finlandën të marrë pjesë aktivisht në procesin e modernizimit të stilit kinez, të zgjerojë bashkëpunimin në industritë në zhvillim si transformimin e gjelbër, teknologjinë e informacionit, ekonominë digjitale, inteligjencën artificiale (IA) dhe energjinë e re, duke ndërtuar një model të ri bashkëpunimi, reciprokisht të dobishëm midis dy vendeve në epokën e re.
Kina është e gatshme të zgjerojë më tej shkëmbimet njerëzore me Finlandën, duke marrë vendimin ta përfshijë Finlandën në politikën e njëanshme pa viza. Kina mirëpret më shumë miq finlandezë për të bërë biznes, udhëtime dhe studime në vend.
Xi Jinping theksoi se si Kina, ashtu edhe Finlanda e duan paqen dhe mbrojnë multilateralizmin dhe tregtinë e lirë. Kina është e gatshme të forcojë komunikimin dhe bashkëpunimin me Finlandën për çështje të tilla si ndryshimet klimatike, ruajtja e biodiversitetit, zhvillimi i qëndrueshëm global dhe qeverisja e IA. Të punojmë së bashku për të ruajtur paqen dhe stabilitetin në botë, si edhe për të nxitur një globalizim ekonomik të barabartë, të rregullt, shumëpolar dhe gjithpërfshirës.
Viti i ardhshëm shënon 50 vjetorin e marrëdhënieve diplomatike midis Kinës dhe BE-së. Shpresojmë se Finlanda do të vazhdojë të luajë një rol pozitiv në nxitjen e zhvillimit të shëndetshëm dhe të qëndrueshëm të këtyre marrëdhënieve, duke realizuar nxitjen reciproke dhe zhvillimin e përbashkët të marrëdhënieve Kinë-Finlandë dhe marrëdhënieve Kinë-BE.

foto nga CMG
Nga ana e tij, Presidenti Stubb u shpreh: Jam shumë i kënaqur të vizitoj Kinën fill pas marrjes së detyrës si president dhe të takohem sërish me Presidentin Xi Jinping pas 14 vjetësh. Situata botërore ka ndryshuar shumë që atëherë. Kina ka bërë arritje zhvillimi të mahnitshme.
Që nga vendosja e marrëdhënieve diplomatike 74 vjet më parë, Finlanda dhe Kina gjithmonë e kanë respektuar njëra-tjetrën, e kanë trajtuar njëra-tjetrën me sinqeritet dhe janë angazhuar në dialog në baza të barabarta. Finlanda i përmbahet parimit të Një Kine. Ajo është e gatshme të punojë me Kinën për të festuar 75 vjetorin e marrëdhënieve diplomatike vitin e ardhshëm, për të forcuar shkëmbimet e nivelit të lartë, për të zgjeruar shkëmbimet njerëzore e kulturore dhe për të thelluar bashkëpunimin pragmatik në fushat e ekonomisë, tregtisë, energjisë së gjelbër dhe zhvillimit të qëndrueshëm.
Finlanda vlerëson qëndrimin e Kinës ndaj barazisë së të gjitha vendeve, të mëdha apo të vogla, në marrëdhëniet ndërkombëtare. Vlerëson nismat kryesore të paraqitura nga Presidenti Xi Jinping për të trajtuar sfidat e ndryshme globale në botë sot. I kushton rëndësi ndikimit të rëndësishëm të Kinës në çështjet ndërkombëtare dhe rolit të saj të qëndrueshëm dhe konstruktiv. Finlanda është e gatshme të forcojë komunikimin shumëpalësh dhe bashkëpunimin me Kinën, për të kontribuar për paqen dhe stabilitetin në botë.
Ekonomitë e BE-së dhe Kinës janë të lidhura ngushtë. "Shkëputja dhe thyerja e zinxhirëve" dhe një "Luftë e re e Ftohtë" nuk përputhen me interesat e asnjë pale. Finlanda është e gatshme të luajë një rol pozitiv në nxitjen e zhvillimit normal të marrëdhënieve BE-Kinë.
Të dy palët shkëmbyen thellësisht pikëpamjet edhe mbi krizën e Ukrainës dhe konfliktin palestinezo-izraelit. Xi Jinping shtjelloi qëndrimin parimor të Kinës dhe shprehu gatishmërinë e tij për të punuar me të gjitha palët përkatëse, përfshirë Finlandën, për të vazhduar të luajë një rol pozitiv në nxitjen e zgjidhjes paqësore të krizës.
Pas bisedimeve, të dy krerët e shteteve qenë dëshmitarë të nënshkrimit të një numri dokumentesh bashkëpunimi dypalëshe në fushat e arsimit, ujitjes, mbrojtjes së mjedisit, ekonomisë qarkulluese dhe prodhimeve bujqësore e ushqimore.
Të dy palët publikuan Planin e Punës së Përbashkët mbi Nxitjen e një Partneriteti të Ri të Orientuar drejt Ardhmes midis Kinës dhe Finlandës (2025-2029).

foto nga CMG
Para bisedimeve, Xi Jinping dhe bashkëshortja e tij Peng Liyuan mbajtën një ceremoni mirëseardhjeje për Stubb dhe bashkëshorten e tij Suzanne, në Sallën Veriore të Pallatit të Madh të Popullit. Një përshëndetje me 21 të shtëna u zhvillua në sheshin Tiananmen dhe presidentët e dy vendeve kaluan rojën e nderit në revistë.
Mbrëmjen e së martës, Xi Jinping dhe Peng Liyuan mbajtën një pritje mirëseardhjeje për nder të Stubbsit.
