Japoni: Koalicioni qeverisës humb shumicën në dhomën e ulët
2024-10-28 16:36:29

Foto nga VCG

Foto nga VCG

Pas zgjedhjeve të përgjithshme në Japoni të dielën, koalicioni qeverisës i Partisë Liberaldemokratike (LDP) dhe partneres së saj "Komeito" nuk arriti të fitojë shumicën, duke sjellë pasiguri politike në një ekonomi që tashmë është duke u përballur me një sërë sfidash. 

LDP dhe "Komeito" morën 215 nga 465 vendet në Dhomën e Përfaqësuesve, dhoma e ulët e parlamentit, nga 233 vendet e nevojshme për shumicën. LDP-ja fitoi 191 vende, shumë më pak se 247 vendet që kishte përpara zgjedhjeve. 

Në të kundërt, Partia Demokratike Kushtetuese, forca kryesore e opozitës, e rriti ndjeshëm përfaqësimin e saj, nga 98 vende përpara zgjedhjeve në 148. Yoshihiko Noda, kreu i CDP-së, vuri në dukje që rezultati tregon dëshirën e votuesve për reformë politike. 

Rezultati është kryesisht në përputhje me parashikimet e medias, në sfondin e zemërimit publik lidhur me skandalin e fondeve të LDP-së. Hera e fundit që koalicioni humbi shumicën ishte në vitin 2009.

Rezultatet zgjedhore mund të intensifikojnë negociatat ndërpartiake ndërmjet partive qeverisëse dhe atyre opozitare për përparësitë legjislative dhe krijimin e koalicionit. 

Pas rezultatit të dobët, kryeministri Shigeru Ishiba e pranoi "gjykimin e ashpër të publikut", duke shpallur planet për të kërkuar bashkëpunim me partitë e tjera me të cilat administrata e tij ka politika të përbashkëta për të stabilizuar qeverinë e tij, sipas transmetuesit publik NHK. 

Siç kërkohet nga kushtetuta, Dieti, organi ligjvënës i Japonisë, duhet të mbledhë një sesion të posaçëm brenda 30 ditësh për të zgjedhur kryeministrin. Sipas procedurës së zakonshme, në qoftë se koalicioni qeverisës ka shumicën, kryeministri zgjidhet zakonisht në raundin e parë të votimit. 

Megjithatë, në qoftë se asnjë kandidat nuk merr shumicën e votave në raundin e parë, dy kandidatët kryesorë shkojnë në balotazh. 

Gjithsej 1 344 kandidatë konkurruan në zgjedhjet për Dhomën e Përfaqësuesve, nga 1 051 në zgjedhjet e fundit më 2021.