Kryeministri Rama, fluturime direkte Shqipëri-SHBA (Foto RTSH)
Shqipëria do të ketë në një të ardhme jo të largët një linjë fluturimesh direkte me Amerikën, shkruan rtsh.al. Njoftimin e dha kryeministri Edi Rama gjatë nja takimi në New York me shqiptarët e diasporës në Amerikë, me të cilët pati një bisedë në kuadër të fushatës për zgjedhjet e vitit 2025.
Kryetari i qeverisë tha se kompania amerikane "Delta" ka shprehur interes për fluturimet e drejtpërdrejta me Shqipërinë.
"Aktualisht aeroporti ndërkombëtar "Nënë Tereza" po negocion me kompaninë amerikane "Delta" për të filluar fluturimet direkte nga Amerika në Shqipëri" tha zoti Rama.
Ai bëri të ditur se po bëhet gati të hapet edhe Aeroportin Ndërkombëtar të Vlorës, i cili do të jetë aeroporti me pistën më të gjatë në rajon ku do të kete edhe fluturime transoqeanike. Kryeministri tha se qeveria po diskuton me kompaninë Air Albania, për të mundësuar më në fund një fluturim të drejtpërdrejtë të Air Albania për SHBA.
"Fluturimin e parë kur do të ndodhë nuk jua them dot, por kur të ndodhë do ta bëjmë patjetër këtu në Nju-Jork" u tha zoti Rama të pranishmëve në takim në New York.