Rama: Emigrantët mbajtën në këmbë Shqipërinë
2024-10-28 14:20:34

Rama në SHBA (Foto RTSH)

Kryeministri Edi Rama ka vlerësuar rolin e emigrantëve në ecurinë e ekonomisë shqiptare, shkruan rtsh.al. Duke folur nga Nju-Jorku me shqiptarët që jetojnë dhe punojnë në SHBA, Rama tha se pa emigrantët, Shqipëria do të hynte në situata tragjike si ato të viteve të mëparshme teksa solli në vëmendje edhe 1997-n.

Kryeministri vlerësoi se shuma e parave që emigrantët kanë derdhur për Shqipërinë “çdo vit ka qenë shuma më e madhe, krahasuar me të ardhura të tjera nga sektorë të ndryshëm apo me investimet e huaja”

Duke folur për përfshirjen në politikë të emigrantëve, kryeministri Rama vuri në dukje se Partia Socialiste ka hapur platformën “Deputeti që Duam” së cilës pritet t’i bashkëngjiten edhe shqiptarët që jetojnë në diasporë. Sipas Ramës, në listën e kandidatëve për zgjedhjet e ardhshme parlamentare do të gjenden edhe emrat e emigrantëve që duan të jenë në Parlament.

“Të jeni të sigurt që në listën e kandidatëve për zgjedhjet e ardhshme do të gjeni në të gjitha qarqet edhe shqiptarë që janë sot në emigracion. Pastaj ju takon juve të jepni mbështetjen me votë dhe ata të hyjnë në Parlamentin e Shqipërisë”, u shpreh kreu i qeverisë shqiptare nga Nju-Jorku në takimin me shqiptarët që jetojnë dhe punojnë në SHBA.