Poetja Mimoza Selmani (Foto nga Facebook)
Mimoza Selmani është një poete e re, e cila jeton prej 26 vitesh me familjen në Itali. Ajo ka filluar të shkruajë që në bankat e shkollës, por nuk ka patur mundësi t’i botojë poezitë e saj. Në Itali është integruar lehtë sepse njihte gjuhën italiane, dhe për Mimozën nuk ka qenë e vështirë gjetja e një pune dhe ambjetimi me jetën në një vend të huaj. Ka botuar librin e parë “Një grusht mall”, me poezi të zgjedhura për vendlindjen. Ajo është pjesë e shoqatave artistike-kulturore në Itali, që kontribojnë në ruajtjen e gjuhës dhe traditave shqiptare. Në intervistë për Radio Ejani Mimoza Selmani tregon për jetën e saj në emigrim, pasionin për letërsinë dhe planet për botime.
Mimoza Selmani me bashkeatdhetaret pas nje eventi festiv (Foto nga Facebook)
CMG: Kur ke emigruar në Itali dhe si u integrove me jetën atje?
Mimoza Selmani: Kam emigruar në Itali në vitin 1998. Këtu integrimi nuk ka qenë shumë i vështirë, sepse unë e dija pak gjuhën italiane dhe si karakter ambjentohem me të gjitha kushtet. Nuk jam ndjerë ndonjëherë e harruar dhe ia kam dalë mirë.
CMG: Cila ishte arsyje e largimit tuaj nga Shqipëria?
Mimoza Selmani: Mendoj se arsyeja është si për të gjithë bashkatdhetaët tanë. Kanë qenë vitet më të vështira në atë periudhë në Shqipëri. Bashkëshorti im ishte larguar dy vite para meje dhe unë isha në Shqipëri me dy fëmijë të vegjël. Kështu që vendosa me dy fëmijët të bashkohem me tim shoq në Itali.
CMG: Ke patur vështirësi në fillim të gjeje punë në Itali?
Mimoza Selmani: Në fillim mendoja të gjeja një punë për të përballuar jetesën, dhe nuk kisha pretendime për të kërkuar një punë që doja unë. Ideja ime ka qenë që të vazhdoja studimet, por kushtet nuk e mundësuan një gjë të tillë. Kemi patur shumë probleme me dokumentat dhe isha e detyruar të punoja me rregulla. Ëndrra ime për studime u shua. Kam bërë të gjitha punët që më kanë dalë përpara.
Mimoza Selmani (Foto nga Facebook)
CMG: Në Shqipëri çfarë pune keni bërë?
Mimoza Selmani: Unë në Shqipëri kam punuar në minierën e Valiasit një vit. Pastaj kam marrë lejen e lindjes, sepse u bëra nënë dhe e lashë punën. Kam punuar si magaziniere dhe shpërndaja rrobat e punëtorëve.
CMG: Çfarë pune bëni tani në Itali?
Mimoza Selmani: Punoj në një familje italiane, që kanë dhe një klinikë private dhe punoj dhe aty.
CMG: Ke pasion të shkruarit, ke botuar një libër me poezi. Kur lindi pasioni për letërsinë?
Mimoza Selmani: Pasioni për të shkruar ka qenë i hershëm. Meqenëse në atë kohë shkruaja, por isha pak e ndrojtur dhe nuk jam hapur asnjëherë. Unë vij nga një familje që më kanë penguar pak që të lexoj, por ndoshta kjo ka qenë si puna e asaj “mollës së ndaluar”, që më ka shtyrë të lexoj gjithmonë. Kam filluar të shkruaj që në bankat e shkollës. Ndërkohë vitet e fundit, duke qenë se jam pak më e lirë, sepse fëmijët janë rritur dhe sistemuar, kam filluar të shkruaj pak më tepër.
CMG: Cila është gjinia letrare në krijimtarinë tuaj?
Mimoza Selmani: Unë shkruaj më shumë poezi lirike, të thjeshta. Kam shkruar për vendlindjen, por dhe tema të ndryshme aktuale. Fillimisht kam filluar të shkruaj për mallin që kam për vendlindjen dhe kjo gjë më ka shtyrë që të filloj të shkruaj.
Mimoza Selmani me disa artiste pas nje koncerti ne Itali (Foto nga Facebook)
CMG: Si është pritur libri i parë nga lexuesit?
Mimoza Selmani: Kam botuar një libër që e kam titulluar “Një grusht mall”. Mendoj se është pritur shumë mirë. Këtë libër e kam botuar me shumë frikë, me idenë që do pendohem apo nuk do më pëlqejë, por qëkur është botuar më pëlqen gjithmonë e më shumë. Librin e botova sepse doja t’i ruaja poezitë, dhe ja arrita.
CMG: Sa i organizuar është komuniteti shqiptar në Itali?
Mimoza Selmani: Këto vitet e fundit kam filluar të angazhohem me një grup miqsh artistë dhe poetë që jetojnë këtu. Kemi krijuar një organizatë tonën, më vonë u bashkuam me shoqatën “Ura”, e cila funksionon prej shumë vitesh këtu. Vitin e shkuar kemi bërë organizime për festat tona kombëtare, ku të gjithë bashkëatdhetarët tanë mbetën shumë të kënaqur, sepse kishte kohë që nuk organizoheshin këto festime. Para pak ditësh organizuam një event me rastin e festave të nëntorit, por e organizuam pak më përpara sepse komuna nuk na caktoi datë tjetër. Gjithashtu po në këtë shoqatë kemi shkollën shqipe, ku marr pjesë. Kemi dy mësuese shqiptare dhe nxënës të dy grupeve, që vijnë me shumë dëshirë të mësojnë gjuhën shqipe. Përpiqemi që me mundësitë tona të bëjmë diçka për komunitetin shqiptar, për t’i afruar me njëri-tjetrin, por dhe për të mbajtur gjallë ndjenjën tonë për Shqipërinë. Fëmijët edhe pse vijnë pak me vështirësi, kur vijnë ambjentohen dhe ju pëlqen shumë.
CMG: Vjen shpesh në Shqipëri dhe për çfarë të merr malli më shumë për vendlindjen?
Mimoza Selmani: Ka gati 25 vite që vij në Shqipëri cdo vit, por vitet e fundit kam ardhur më shpesh. Shqipëria më pëlqen sepse kam nostalgjinë e të ndenjurit me familjarët dhe njerëzit e afërt. Në atdhe vij me shumë mall dhe vërtetë më pëlqen shumë.
CMG: Ke në plan ndonjë botim tjetër?
Mimoza Selmani: Unë po mendoj të mbledh dhe ato poezi që kam shkruar dhe së shpejti të botoj librin e dytë.
Intervistoi: Gazmend Agaj