Një tren i ngarkuar me produkte elektronike, pjesë këmbimi makinash dhe pajisje mekanike nga Chongqing, një metropol gjigant i Kinës Jugperëndimore, mbërrin në stacionin hekurudhor lindor të portit Qinzhou në jug të Rajonit Autonom Guangxi-Zhuang, drejt rrugës për në destinacionin e tij përfundimtar, ASEAN.
Një qendër e logjistikave për transportin e mallrave drejt Guangxi, qytet Chongqing, Kinë Jugperëndimore/VCG
Huang Jiangnan, drejtuesi i stacionit, kujton se kur stacioni filloi funksionimin në maj të vitit 2015, ishin dy punonjës që trajtonin më pak se dhjetë trena në vit. Sot, stacioni që i shërben portit të Gjirit Beibu, është bërë një nyjë jetike e Korridorit të Ri Ndërkombëtar të Tregtisë Tokësore-Detare, me mbi 20 trena që qarkullojnë çdo ditë.
Porti i Gjirit Beibu tani operon 76 linja transporti të kontejnerëve, duke u lidhur me mbi 200 porte në më shumë se 100 vende dhe rajone nëpërmjet rrjetit të tij të tregtisë së jashtme. Nga janari deri në gusht të këtij viti, në këtë port u trajtuan më shumë se 5.8 milionë kontejnerë standard, me një rritje prej 16 % në krahasim me të njëjtën periudhë të një viti më parë, ndërsa vëllimi i ngarkim-shkarkim u rrit 4.4 %, duke arritur në 297 milionë tonë gjatë kësaj periudhe.
Nga lokale deri në kombëtare
Evolucioni i stacionit hekurudhor në portin Qinzhou pasqyron rritjen dinamike të korridorit tregtar, duke pasur një rrugëtim të jashtëzakonshëm përparimi e zhvillimi të nxitur nga hapja dhe ndërlidhja.
Në shtator 2017, "korridori drejt jugut", që kalon nga qyteti Chongqing nëpërmjet provincës Guizhou dhe rajonit Guangxi deri në Singapor, paraardhësi i Korridorit të Ri Ndërkombëtar të Tregtisë Tokësore-Detare, bëri debutimin. Në gusht të vitit 2019, ai u shndërrua nga një nismë vendore në një projekt me rëndësi strategjike kombëtare.
Ky korridor, që nis nga Chongqing dhe që ka si nyja jetike rajonet kryesore perëndimore në nivel province, përdor një mënyrë të ndërthurur të transportit hekurudhor, detar e rrugor për t'u lidhur me destinacionet globale nëpërmjet porteve bregdetare dhe pikave kufitare të Rajonit Autonom Guangxi-Zhuang e të provincës Yunnan.
Pas pesë vjetësh ndërtimi, korridori, i njohur më shpesh si korridori i ri perëndimor tokësor-detar, tani lidhet me 523 porte në 124 vende dhe rajone. Numri i përgjithshëm i trenave i ka kaluar 30 000, ndërsa gama e mallrave të transportuara është zgjeruar nga mbi 80 në më shumë se 1 150 lloje, duke pasqyruar rolin në rritje të këtij korridori në tregtinë globale.
Porti Qinzhou, Rajonin Autonom Guangxi-Zhuang/VCG
Si një projekt historik i nismës "Një brez, një rrugë", ky korridor është çelësi për përshpejtimin e zhvillimit në shkallë të gjerë të pjesës perëndimore të Kinës, që përfshin 12 rajone në nivel province. Pjesa perëndimore, që është më pak e zhvilluar, luan një rol jetik në drejtimin e zhvillimit të qëndrueshëm e me cilësi të lartë të vendit.
Nga kombëtare në globale
Distrikti Tongnan i qytetit Chongqing është një nga zonat kryesore të rritjes së limonit në botë, duke u krahasuar shpesh me Kaliforninë dhe Sicilinë. Megjithatë, për për vite me radhë, hyrja në tregje të tjera ishte një sfidë për agrumet cilësore vendore.
Korridori i ri perëndimor tokësor-detar e ka ndryshuar këtë situatë, duke bërë që limonët e Tongnan-it të shiten tani në mbi 30 vende e rajone, duke përfshirë Tajlandën, Singaporin dhe Rusinë.
Kjo rritje e shtrirjes globale nuk është vetëm për limonët. Një sërë specialitetesh rajonale tani po lënë gjurmë në skenën botërore falë korridorit. Vera dhe lëngu i kokrrave gogji të Ningxia-s, arrat e Xinjiang-it, makaronat e njohura Luosifen të Guangxi-së dhe çaji i Guizhou-t po fitojnë vlerësim ndërkombëtar, duke nxitur rritjen e ekonomive të këtyre provincave e rajoneve.
Pasi hekurudha Kinë-Laos filloi funksionimin, nisi edhe një shërbim i ri, duke nxitur më tej tregtinë ndërmjet zonës perëndimore të Kinës dhe ASEAN-it e Evropës nëpërmjet korridorit të transportit.
Duke përdorur korridorin, bizneset në Kinën Perëndimore po integrohen me shpejt në peizazhin industrial global.
Në Chongqing, pjesë të motoçikletave të prodhuara nga kompania e teknologjisë së motorëve "D-Chamwin" dërgohen nëpërmjet autostradës ndërkufitare të këtij korridori. Katër ditë më vonë, ato mbërrijnë në fabrikën e kompanisë në Mandalai të Mianmarit, ku montohen në automjete të plota për konsumatorët vendas.
Konsumtarë kinezë bëjnë pazar në një mapo për produktet e importuara nga Azia Juglindore/VCG
Sfidat logjistike penguan prej kohësh zgjerimin e "D-Chamwin". "Logjistika dikur merrte shumë kohë dhe kostoja ishte shumë e lartë," thotë menaxheri i përgjithshëm i kompanisë Yang Heping. Motoçikletat kanë treg të gjerë në vendet e Azisë Juglindore, po tradicionalisht eksportimi i tyre në këto vende mbështetej te transporti lumor-detar, që kërkonte shpesh dy muaj ose më shumë.
Korridori i ri tokësor-detar perëndimor ka forcuar ndjeshëm lidhjet tregtare midis zonave të brendshme të Kinës Perëndimore si Chongqing-u dhe vendeve të Azisë Juglindore.
"Me korridorin e ri, minimalisht mund ta kryejmë dorëzimin në katër ditë dhe tregu ynë jashtë vendit është bërë më i afërt," thekson Yang.
Përparimi i korridorit u ka hapur gjithashtu rrugën më shumë bizneseve vendase dhe të huaja që të hyjnë në tregun kinez që është në zgjerim të vazhdueshëm.
Hu Shengli, i cili punon për kompaninë logjistike "Thongta International Logistics", vë në dukje që hekurudha Kinë-Laos ka qenë një ndihmë për Laosin, duke ofruar jo vetëm thjesht transport, por edhe rritje ekonomike e mundësi punësimi, duke përmirësuar kështu jetesën e banorëve vendorë.
“Përpara vitit 2021, çmimi për fetat e thara të kasavës ishte vetëm rreth 98 dollarë amerikanë për ton, ndërsa tani është rritur në 1 200 juanë për ton," tregon ai.
"Durianët tajlandezë transportohen me kamion në kryeqytetin e Laosit Vientiane dhe më pas dërgohen në Kunming në Kinën Jugperëndimore nëpërmjet hekurudhës Kinë-Laos. I gjithë udhëtimi mund të përfundojë brenda tre ditësh e gjysmë," thotë Fan Ligang, kreu i një kompanie tregtare në Guangzhou, duke shtuar që transporti në kohë siguron cilësinë e durianëve.