Mesazhi i Khameneit pas sulmit në Tel Aviv: Irani duhet t'i tregojë forcën e tij Izraelit
2024-10-28 16:14:28

foto VCG

Lideri suprem i Iranit, Ayatollah Ali Khamenei mbajti një fjalim publikut më 27 tetor 2024 / foto VCG

Lideri suprem i Iranit, Ayatollah Ali Khamenei deklaroi se zyrtarët iranianë do të duhet të vendosin se si t'ia demonstrojnë më së miri fuqinë e vendit të tyre Izraelit, shkruan rtsh.al.

Pas sulmit izraelit në territorin iranian, agjencia e lajmeve Irna transmeton se,  Ali Khamenei tha se, “e keqja e kryer nga regjimi sionist dy net më parë nuk duhet të nënvlerësohet dhe as të mbivlerësohet”.

Irani tha të shtunën se  sulmi gjatë natës i Izraelit ndaj objektivave ushtarake shkaktoi vetëm dëme të kufizuara, ndërsa presidenti i SHBA Joe Biden bëri thirrje për t'i dhënë fund përshkallëzimit të tensionit midis Izraelit dhe Iranit që ka ngritur frikën e një lufte në shkallë të gjerë në Lindjen e Mesme.

Disa avionë luftarakë izraelitë nisën sulme në tre valë para agimit të shtunën kundër fabrikave të raketave dhe pozicioneve të tjera ushtarake pranë Teheranit dhe Iranit perëndimor, tha ushtria izraelite.

Khamenei vlerësoi të dielën se Irani duhet t'i tregojë fuqinë e tij Izraelit, por shtoi se mënyra se si do të bëhet kjo duhet të "përcaktohet nga zyrtarët" në mënyrë që "të ndodhë ajo që do të jetë në interesin e tij më të mirë".