Reforma e pensioneve, strategjia e qeverisë shqiptare
2024-10-28 10:07:31

Duket se reforma e pensioneve do të jetë gati shumë shpejt. Përfaqësues të qeverisë në daljet e fundit kanë patur në fokus skemën e shëndoshë të pensioneve në vend, për ta përmirësuar më tej. Zëvendësministrja e Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, Olta Manjani, duke folur për rëndësinë e formalizimit të deklarimit të pagave në ekonomi shpjegoi se çfarë është parimi kryesor i skemës së sigurimeve shoqërore. 

“Fillimisht dua të prezantoj se çfarë është parimi kryesor i skemës së sigurimeve shoqërore. Faktori kryesor në thelb të një skemë pensionesh jo vetëm në Shqipëri, por në të gjithë botën është parimi kontributiv. Pra, ne marrim mbrapsht atë që kemi kontribuar ndër vite kundrejt skemës me punën tonë. Për ta ilustruar me një shembull shumë të thjeshtë, vitet minimale për të përfituar një pension minimal janë 15 vite, një individ që të marrë një pension minimal duhet të punojë 15 vite. Ndërkohë për të plotësuar numrin e plotë të viteve për të përfituar një pension të plotë janë aktualisht 38 vite. Automatikisht dikush që ka punuar 15 vite do të përfitojë një pension më të ulët se sa dikush që ka punuar 38 vite”

Marrja e pensionit(Foto Albanian Construction Portal)

Marrja e pensionit(Foto Albanian Construction Portal)

Sipas zëvendësministres Manjani, këtu fillon ndryshimi kryesor.

“Fatkeqësisht ajo që vëmë re ndër vite është që 80% e pensioneve të reja dhe ne brenda një viti lidhim 15 deri në 18 mijë pensione neto të reja, pra stoku i gjithë pensionistëve çdo vit rritet nga 15 mijë deri në 18 mijë, janë pensione të pjesshme. Individët nuk i plotësojnë vitet për pension të plotë. Është një tendencë që është vënë re me kalimin e viteve. Në qoftë se në vitin 2013, një pensionist kishte 33 vite pune, mesatarisht, kjo është ulur në vitin 2023 në 27 vite punë. “

Pensionistët e rinj mesatarisht kanë 6 vite punë më pak sesa para 10 vitesh.

“Ky është një ndër faktorët që kanë ndikuar në nivelin e pensioneve aktuale. Një tjetër faktor i rëndësishëm është masa e kontributit  për vitet e punës. Dy individë me të njëjtën sasi vitesh pune, dikush ka një pension më të lartë dhe dikush ka një pension më të ulët. Këtu kalojmë tek faktori i dytë shumë i rëndësishëm, që është masa e kontributit. Kontributet mund të paguhen ose mbi një pagë minimale, duke filluar nga një pagë minimale, duke vijuar më tej mbi një pagë që shkon në pagën maksimale, e përcaktuar në ligj për përfitimin e pensionit. Nëse do marrim rastin ekstrem, nëse një individ ka punuar 15 vite dhe kontributet e tij janë bërë mbi një pagë minimale dhe një individ tjetër që ka plotësuar vitet e plota të punës për të plotësuar një pension të plotë, ka punuar 38 vite, por ndërkohë këto kontribute i ka paguar kundrejt një page maksimale. Këtu do të shihni që i pari përfiton një pension minimal dhe i dyti përfiton një pension disa herë apo disa fish më të lartë se sa i pari.”- shprehet Manjani.

Shpesh herë bëhen pagesa të kontributeve shoqërore bazuar mbi një pagë jo reale.

Olta Manjani (Foto Facebook)

Olta Manjani (Foto Facebook)

“Në adresë të Ministrisë së ekonomisë dhe të Institutit të Sigurimeve Shoqërore, vazhdimisht vijnë ankesa, veçanërisht nga pensionistë sapo ju lidhet pensioni për rillogaritje të pensionit të tyre. Fakt që ajo që konstatojmë në mbi 95% të rasteve nuk ka asnjë gabim në llogaritjen e pensionit. Problemi qëndron dhe ajo që konstatohet është se ka patur një marrëveshje të heshtur mes punëdhënësve dhe punëmarrësve, që pagesat e sigurimeve shoqërore nuk janë bërë mbi pagën e tyre reale, por janë bërë me një pagë minimale ose mbi një pagë më të ulët. Nëse ky konstatim bëhet pas 15, 20 apo 30 vitesh punë është shumë vonë në momentin e lidhjes së pensionit që të ndryshojë diçka. Ky ishte faktori i dytë, masa e kontributit.”- u shpreh më tej ajo.

Shqipëria ka një numër shumë të lartë pensionistësh në raport me popullsinë krahasuar edhe me vendet e rajonit.

“ Aktualisht janë rreth 705 mijë pensionistë, deri në fund të vitit 2023 që trajtohen me pensione, ndërkohë që numri i përfitimeve është më i lartë, janë rreth 750 mijë pensione pasi paguhen dhe pensione për kategori të veçanta, të cilat lidhen me vështirësinë e punës, siç mund të jenë, naftëtarë, metalurgë, minatorë apo kategori të tjera të cilat përfitojnë. Në total janë 750 mijë përfitime mbi 705 mijë pensionistë.”

Cila është arsyeja pse kemi kaq shumë pensionistë?

Pensioni (Foto Businessmag)

Pensioni (Foto Businessmag)

“ Në vitin 2010 kanë qenë 543 mijë pensionistë dhe ndërkohë në fund të vitit 2023 kemi një numër prej 705 mijë pensionistësh. Në vitet e para të tranzicionit kanë dalë në pension pesë deri në 10 vite më herët mijëra qytetarë që mbetën pa punë si rezultat i kolapsit të sistemit diktatorial. Të gjithë ata u bënë pjesë e skemës së sigurimeve shoqërore, pa plotësuar vitet e plota të pensioneve. Një pjesë e madhe e pensionistëve nuk përfitojnë pensione të plota, por përfitojnë pensione të pjesshme. Pastaj janë faktorë të tjerë që janë analizuar në vijimësi, që lidhen me rritjen e moshës mesatare të popullsisë, plakja e shpejtë e popullsisë, rënia e numrit të lindjeve dhe tendencat e emigracionit.”- u shpreh Zv.Ministrja.

Drejtues të qeverisë thonë se bazuar në informacionet në terren, rezulton se sektorët më produktivë që sjellin të ardhura në ekonomi, rezultojnë poshtë pagës mesatare siç janë ndërtimi, turizmi. Po ashtu biznese që paguajnë sigurime shoqërore të punonjësve jo mbi bazën e pagës reale, por mbi bazën e një page minimale. Pikërisht në këto pika do të ndërhyjnë autoritet përkatëse për të përmirësuar treguesit dhe performancën e kontributeve.