Lehtësohen procedurat për emigrantët për aplikimet për mjete identifikimi
2024-10-27 11:28:24

foto: RTSH

foto: RTSH

Ministria e Brendshme njoftoi se prej 25 tetorit, shtetasit shqiptarë që jetojnë jashtë vendit kanë mundësi të aplikojnë për letërnjoftim elektronik, ose për pasaportë biometrike, pa qenë më e nevojshme të pajisen detyrimisht me të dy dokumentet njëkohësisht, shkruan “RTSH”.

Në deklaratën e publikuar nga ministria thuhet se nisma ka për qëllim të thjeshtojë procedurat dhe të lehtësojë qytetarët që jetojnë e punojnë jashtë Shqipërisë.

Ndryshimi vjen edhe si përgjigje ndaj kërkesave të vazhdueshme të diasporës shqiptare për akses më të lehtë në dokumentet e nevojshme për ta, si dhe për të ulur kostot gjatë procesis të aplikimit.

“Ministria e Brendshme, përmes kompanisë shtetërore “IdentiTek sh.a.”, mbetet e përkushtuar të vijojë përmirësimin e shërbimeve për të gjithë qytetarët shqiptarë, kudo që ndodhen, dhe të sigurojë akses të barabartë e të thjeshtë për të marrë dokumentet e nevojshme. Ftojmë gjithë qytetarët e interesuar të vizitojnë përfaqësitë tona diplomatike për më shumë informacion e për të kryer aplikimet për letërnjoftim elektronik”,- thuhet në njoftimin e Ministrisë.