foto: RTSH
Presidentja e Komisionit Europian (KE), Ursula von der Leyen, deklaroi se Bosnjë-Hercegovina ka treguar shumë herë në të kaluarën se mund të arrijë rezultate në rrugën drejt BE-së kur vepron e bashkuar.
Gjatë vizitës së saj në Sarajevë, në kuadër të turit ballkanik, von der Leyen u takua me kryesuesen e Këshillit të Ministrave, Borjana Krishto, si dhe me anëtarët e Presidencës boshnjake, shkruan “RTSH”.
Po ashtu, von der Leyen vizitoi Jabllanicën, zonë e cila u prek më shumë nga përmbytjet dhe rrëshqitjet e dheut për shkak të motit të keq javë më parë. Ajo vuri në dukje se BE-ja do të konsiderojë dhënien e ndihmës për Bosnjë-Hercegovinën nga Fondi i Solidaritetit, i cili është në dispozicion të vendeve anëtare në rast të fatkeqësive natyrore.
Von der Leyen shprehu mirënjohjen për angazhimin e Bosnjë-Hercegovinës në rrugën evropiane. Ajo theksoi se është shumë e rëndësishme që vendi të veprojë i bashkuar që të mund të zbatojë reformat në mënyrë më efikase dhe të arrijë rezultate në rrugën europiane.
Ajo tha se çështja e zgjerimit të BE-së do të jetë prioritet absolut gjatë mandatit të saj të dytë.
Von der Leyen theksoi rëndësinë e dy nismave, Planit të Rritjes për Ballkanin Perëndimor dhe Planit të Investimeve për Ballkanin Perëndimor.