
foto: VCG
Më shumë se 600 personalitete, ekspertë dhe studiues nga 41 vende dhe rajone ndanë ide mbi thellimin e bashkëpunimit në fushat që lidhen me oqeanin, duke përfshirë ekonominë, teknologjinë dhe ekologjinë, në Forumin Global të Zhvillimit të Oqeanit 2024, i zhvilluar në qytetin Qingdao, në provincën Shandong të Kinës lindore, përcjell “Xinhua”.
Peter Thomson, i dërguari special i sekretarit të përgjithshëm të Kombeve të Bashkuara për oqeanin, theksoi urgjencën e mbrojtjes së oqeanit, duke vënë në dukje se vetëm nëpërmjet bashkëpunimit global mund të arrihen qëllimet e zhvillimit të qëndrueshëm.
Sun Shuxian, zëvendësministri kinez i Burimeve Natyrore dhe kreu i Administratës Shtetërore të Oqeanit, theksoi rritjen e qëndrueshme të industrisë detare të Kinës dhe përmirësimet e vazhdueshme në mjedisin ekologjik detar të vendit.

foto: VCG
Gjatë ngjarjes dyditore u publikua Raporti i Indeksit të Zhvillimit të Oqeanit të Kinës 2024, i cili zbuloi se indeksi i zhvillimit detar të Kinës u rrit me një normë mesatare vjetore prej 2.9 për qind nga viti 2016 në 2023-shin.
Zhang Zhanhai, kryetar i Shoqatës kineze të Kërkimit dhe Zhvillimit të Burimeve Minerale të Oqeanit, vuri në dukje se me ekspertizën në pajisjet dhe teknologjinë e detit të thellë, Kina është e pozicionuar mirë për të mbështetur zhvillimin e qëndrueshëm dhe përdorimin e burimeve globale të shtratit të detit. Ambasadori i Islandës në Kinë, Thorir Ibsen, theksoi rolin jetik të Kinës në avancimin e ekonomisë globale detare. Ai gjithashtu vuri në dukje marrëdhënien e gjatë bashkëpunuese midis Islandës dhe Kinës në fushat që lidhen me detin, si dhe tregtinë detare në rritje midis dy vendeve.
Forumi u organizua nga qeveria provinciale e Shandong dhe Ministria kineze e Burimeve Natyrore.
