< img height="1" width="1" style="display:none"src="https://www.facebook.com/tr?id=514174860241230&ev=PageView&noscript=1"/>
“T’kam llastuar”, kënga konkurrente e Ingrid në “Kënga Magjike 2024”
2024-10-27 11:23:34

Këngëtarja me origjinë nga Shkodra Ingrid e ka nisur rrugën e këngës 3 vjeç dhe ka interpretuar  në skenën e Teatrit “Migjeni” në moshën 6 vjeçare. Prej 18 vitesh Ingrid ka marrë pjesë në shumë festivale e koncerte ku është ndarë me çmime kombëtare dhe ndërkombëtare. Në vitin 2008 ajo ka fituar çmimin e dytë në konkursin “Ars Kosova” për violinë si dhe  çmimin e dytë dhe të tretë në konkursin “Pjetër Gaci” për violinë, sikurse çmimin e parë në disa konkurse për këndim në Shkodër.

Në vitin 2013 Ingrid mori pjesë në spektaklin “Gjeniu i Vogël 5”, ndërsa në  vitin 2015 përfaqësoi Shqipërinë në një festival internacional në Manila, të Filipineve. Në 2016 ajo përfaqësoi Shqipërinë në të njëjtin festival në Sydney Opera House, të Australisë. Në të njëjtin vit, Ingrid ishte pjesë e një festivali maratonë në disa vende të Europës, si Gjermani, Belgjikë, Zvicër, Austri, Rumani, ku fitoi medalje bronzi. Në vitin 2018 Ingrid filloi studimet për violinë në Universitetin e Arteve në Tiranë. Së fundmi  ajo ka marrë pjesë në spektaklin “X -Factor Albania 5”. Në vitin 2023 ajo filloi punën si “vocal coach” në Gjermani në disa konkurse internacionale, ku edhe këtë vit është trajnere e konkurseve për të rinj në disa juri ndërkombëtare.

CMG: Ingrid, së fundi po merr pjesë në festivalin “Kënga Magjike” me këngën “T’kam llastuar”. Më trego për këtë pjesëmarrje, si e priti publiku këngën tënde?

Ingrid: Është një flamenko shumë e zjarrtë për mendimin tim. Në fillim ishte Elios Shuli që më tregoi 2-3 materiale dhe kënga “T’kam llastuar” më pikasi dhe mendova se këtë këngë publiku do ta pëlqejë.

Më pas Eliosi më prezantoi me Ervin Gonxhin që është orkestruesi i këngës, të cilët dua t’i falenderoj. Unë si natyrë jam pak e ndrojtur, por ata ma kanë bërë shumë të thjeshtë dhe jam ndjerë mjaft rehat. Eliosi dikujt ja ka dedikuar, por muza nuk dihet. Të gjithë kemi një person nga e shkuara apo nga e tashmja që e kemi llastuar, apo na ka llastuar. Ndërsa sa i përket performancës, balerinët, koreografia e Olta Hametaj, gjithçka është realizuar në mënyrën më të mirë. Më vjen mirë që në debutimin e këngës time të parë, të punoja me profesionistë.

CMG: Këtë vit ishte pjesë e talent show-t “X-Factor”, si ishte për ty?

Ingrid: Ishte magjike. Çdo person që ka punuar për atë produksion dhe që ka qenë pjesë e rrugëtimit tim do ta mbaj mend gjithë jetën. Unë kam një jetë me muzikën, kam qenë në skena të ndryshme ndërkombëtare, por këtë herë po këndoja për publikun tim, që të më njihte publiku im. Sapo dilja nga netët e live-t, në rrugë më thërrisnin Ingridi i “X-Factor”, ishte vërtetë shumë kënaqësi.

CMG: Më ka pëlqyer shumë paraqitja jote skenike me këngën “Shaj” ku interpretive me violinë, duke sjellë një performancë të kompletuar.

Ingrid: Aty mendoj se e kam vendosur vulën në emrin tim.

CMG: Ke kënduar në skena të ndryshme si Australi, Gjermani, Filipine, etj. Na trego  më tepër rreth këtij turneu.

Ingrid: Ky rrugëtim nisi në vitin 2013, menjëherë pas “Gjeniut të vogël”, i cili ishte një  ogur shumë i mirë për mua. Pas saj nisa debutimet e mia me “International Festival” ku në 2014 kam qenë në Turqi, në 2015 në Filipine, në 2016 në Australi, e në 2016 fitova Olimpiadën turke, me një këngë në turqisht, ku u  përzgjodha si fituese e të gjitha trojeve shqiptare e më pas përfaqësova Shqipërinë në finalen e madhe në Bukuresht. Mes 13 shteteve fitova medalje bronxi, e më pas nisi një turne në disa vende të Evropës. Ka qenë një eksperiencë e pa imagjinueshme për mua. Kam marë pjesë në një festival në Austri, në Zvicër, në Gjermani, në një stadium ku ishin rreth 20 mijë persona.

Në Belgjikë gjithashtu kam kënduar në një stadium, dhe kjo është ëndërr për çdo këngëtar.  Të mendosh që këtë arritje e kisha kur isha 15 vjeç, ishte një gjë shumë e madhe për mua. Më ka rritur shumë si eksperiencë, të rritesh me kombësi të ndryshme, me kultura të ndryshme. Janë ato vite që kanë rrënjosur në karakterin tim, që unë të jem sot Ingridi. Patjetër që duhet të punoj më tepër për të arritur edhe më lart.

CMG: Kjo eksperiencë të ka ndihmuar që të shpalosësh talentin tënd tashmë edhe si mentore në Gjermani.  Si ka qenë kjo eksperiencë e re?

Ingrid: Kjo eksperiencë në Gjermani ka qenë  shtatë vite pas periudhës kur isha konkurrente, Mora një telefonatë nga administratorët e të njëjtit festival që merrja pjesë dikur, të cilët më kërkuan të isha këtë herë pjesë e festivalit si “vocal coach”. Vitin që shkoi ishte viti i parë, ndërsa këtë vit ishte hera e dytë që më kërkuan dhe ishte diçka më ndryshe. Të gjithë personat aty i kishin parë pjesëmarrjet e mia në “X-Factor” dhe ishte një ndjesi tjetër. Të jesh mentore është një përgjegjësi shumë e madhe, sepse kur del në skenë dridhesh nga emocionet, por kur ke studentët, emocioni është dyfish më i madh.

CMG: Ke studiuar në Universitetin e  Arteve për violinë, rrjedhimisht  kjo gjë e ka plotësuar figurën e këngëtares në skenë, por prej sa vitesh luan në violinë dhe sa vite ke me këngën?

Ingrid: Këngën e kam filluar shumë herët, ndërsa violinën e kam nisur rreth moshës 7 vjeçare dhe nuk u ndava asnjëherë nga ajo. Violina  ishte si dashuri me shikim të dytë, pasi e para ishte kënga, i dua shumë të dyja.

CMG: Cilat janë planet e e tua në vazhdim?

Ingrid: Përveç Ingridit, angazhimit tim si mentore në Gjermani, krahas “Kënga Magjike”, po bëjmë disa koncerte, kemi bërë edhe një muzikal të frymëzuar nga “Four Seasons” e Vivaldit, ku kam pjesë  me violinë, por edhe si këngëtare. Do bëjmë një turne, të cilin në qershor e nisëm në Gjermani, pas një muaji do jem në Rumani, e më pas nuk i dihet se ku do na çojë destinacioni i  radhës. Do punoj për këngë të reja, dua që publiku të më njohë mua. Më njohu në “X-Factor” me covera të njohura, por tani dua që publiku të më njohë me këngët e mia, ato çfarë mua më pëlqejnë, e çfarë unë do të sjellë si Ingrid. Dua të punoj fort për të theksuar imazhin tim si soliste.

Lajmet Kryesore

Our Privacy Statement & Cookie Policy

By continuing to browse our site you agree to our use of cookies, revised Privacy Policy. You can change your cookie settings through your browser.
I agree