Presidenti i SHBA-së i kërkon ndjesë popullit autokton amerikan
2024-10-27 14:35:33

foto: ATSH

foto: ATSH

Një mëkat që njollosi shpirtin e vendit, ishte ndjesa historike që presidenti i SHBA-së, Joe Biden, i paraqiti popullit autokton amerikan, fëmijët e të cilëve u shkëputën nga familjet e tyre për më shumë se një shekull nga shteti për t’i vendosur në shkolla me konvikte, ku ata u keqtrajtuan me synimin e asimilimit të detyruar, shkruan “ATSH”.

“Qëllimi i këtyre shkollave me konvikt ishte të fshinin kulturën, gjuhën dhe identitetin vendas të SHBA-së. Shumë fëmijë pësuan dhunë fizike, psikologjike ose seksuale atje. Kërkoj ndjesë zyrtarisht, si president i Shteteve të Bashkuara, për atë që kemi bërë”,- tha Joe Biden nga rezervati amerikan i lumit Gila, në Arizona, pasi mbajti një moment heshtjeje për të nderuar njerëzit e humbur dhe brezat që jetojnë me këtë traumë.

Këto shkolla me konvikt kanë ekzistuar nga fillimi i shekullit XIX deri në vitet 1970, sipas raportit të qeverisë. Të paktën 973 fëmijë kanë vdekur në këto struktura.

“Ky është një nga kapitujt më të tmerrshëm në historinë amerikane. Dhembja e shkaktuar do të jetë gjithmonë një shenjë e rëndësishme turpi, një njollë në historinë amerikane”,- tha presidenti Biden.

Administrata aktuale amerikane ka vendosur një sërë masash për të mbështetur popullsitë autoktone të vendit dhe për të përmirësuar marrëdhëniet me shtetin federal.