Izraeli godet me raketa Iranin në shenjë hakmarrjeje për sulmin e 1 tetorit
2024-10-27 14:43:27

foto: Panorama

foto: Panorama

Izraeli goditi Iranin me një sërë sulmesh ajrore të shtunën, duke njoftuar se kishte në shënjestër objektivat ushtarakë, në shenjë hakmarrjeje ndaj sulmit me raketa balistike që Republika Islamike kreu ndaj Izraelit më 1 tetor, shkruan “Panorama”.

Në kryeqytetin e Iranit, Teheran, mund të dëgjoheshin shpërthimet, edhe pse Republika Islamike këmbënguli se sulmet shkaktuan dëme të kufizuara.

Mediat iraniane raportuan se ishin dëgjuar një sërë shpërthimesh në kryeqytetin Teheran, si edhe në qytetin pranë tij Karaj.

Sulmi rrezikon përshkallëzim të luftës në Lindjen e Mesme, ku grupet militante të mbështetura nga Irani, përfshirë Hamasin në Gazë dhe Hezbollahun në Liban, janë tashmë në luftë me Izraelin.

Kjo ishte hera e parë që ushtria izraelite sulmoi hapur Iranin, i cili nuk ishte përballur me një sërë sulmesh nga një armik i huaj që prej luftës së 1980-s me Irakun.

Ushtria izraelite bëri të ditur se kishte në shënjestër objektet e përdorura për prodhimin e raketave me të cilat Irani goditi Izraelin. Izraeli nuk ofroi të dhëna mbi dëmet.

Ushtria iraniane njoftoi se sulmet kishin në shënjestër bazat ushtarake në provincat Ilam, Khuzestan dhe Teheran, të cilat shkaktuan dëme të kufizuara, por pa dhënë shumë detaje.