Kina i bën thirrje ShBA-së të ndalojë armatimin e ishullit të Tajvanit
2024-10-27 15:14:07

Kina u kërkon Shteteve të Bashkuara të ndërpresin menjëherë armatimin e ishullit të Tajvanit dhe të ndalojnë veprimet e tyre të rrezikshme që dëmtojnë paqen dhe qëndrueshmërinë në Ngushticën e Tajvanit. Kështu u shpreh të shtunën një zëdhënës i Ministrisë së Jashtme kineze kur iu kërkua të komentonte mbi njoftimin e Departamentit amerikan të Mbrojtjes të shtunën se Departamenti i Shtetit ka miratuar një shitje armësh me vlerë 1.988 miliardë dollarë për Tajvanin, duke përfshirë "Sistemet e Përparuara Kombëtare të Raketave Tokë-Ajër" dhe sistemet e radarëve.

Shitja e armëve nga ShBA-ja rajonit të Tajvanit të Kinës përbën një shkelje serioze të parimit të “Një Kine” dhe të tre Komunikatave të Përbashkëta Kinë-ShBA, veçanërisht të Komunikatës së 17 gushtit 1982, cenon seriozisht sovranitetin e interesat e sigurisë të Kinës, dëmton marrëdhëniet Kinë-ShBA dhe paqen e qëndrueshmërinë në Ngushticën e Tajvanit dhe u dërgon një mesazh të gabuar forcave separatiste të "pavarësisë së Tajvanit", tha zëdhënësi. 

Sipas tij, Kina i dënon dhe i kundërshton fuqimisht shitjet e armëve dhe i ka paraqitur demarsh serioz palës amerikane.

foto: VCG

foto: VCG

Vendimi i ShBA-së për ta përdorur Tajvanin për të përmbajtur Kinën dhe për të ndihmuar në përparimin e "pavarësisë së Tajvanit" duke armatosur këtë ishull është në kundërshtim me premtimin e udhëheqësve amerikanë për të mos mbështetur  "pavarësinë e Tajvanit" dhe me përpjekjet e të dy palëve për stabilizimin e marrëdhënieve kino-amerikane, shtoi ai.

Më tej zëdhënësi tha që Kina u kërkon Shteteve të Bashkuara të ndalojnë menjëherë armatimin e Tajvanit dhe veprimet e rrezikshme që dëmtojnë paqen e qëndrueshmërinë në Ngushticën e Tajvanit dhe do të marrë të gjitha masat e nevojshme për të mbrojtur sovranitetin kombëtar, sigurinë dhe integritetin territorial.