Unë e kam gjenezën që duhet të isha bërë humorist patjetër. Për mua arti është jeta ime. Por nuk është aq e thjeshtë. Nuk është e thjeshtë se duhet të kesh talent. E vërteta është që kur rri e kujtoj fëmijërinë time, unë nuk kam kuptuar kurrë, se s’kisha si e kuptoja se isha i vogël, që unë paskam lindur i talentuar. E kam filluar shumë shpejt, ka qenë viti 1952 kur unë ndiqja një shkollë mekanike, që quhej shkolla e rezervave të punës atëhere dhe drejtohej nga një drejtor shqiptar dhe një kryeinxhinier ishte një rus, Bjellajev e kishte mbiemrin, kaq mësuam ne, burrë i mirë. Kështu që atje për herë të parë, në programet e shkollës më doli pak a shumë emri. Atje duke qenë se mora pjesë në aktivitetet e shkollës, u bë një festival i shkollave në atë kohë, i dobët, që ne nuk vajtëm si përfundim, por provat i bëmë, dhe na vjen një balerin, ai më i madhi i “Këngëve dhe valleve” Besim Zekthi. Vetë ai atëhere nuk ishte profesionist dhe mbaj mend si sot që vuri në skenë një valle Moldavjane. Unë kam kërcyer balet bashkë me një që më vonë u bë futbollist Nyri Bylyku. Ne nuk ishim balerinë, as nuk kishim talent, por kërcyem. Kështu filluan ndjenjat e të prezantuarit me publikun, se na pëlqenin duartrokitjet, fjalët e mira të pedagogëve.
Nga vitet 1953-1954 Estrada e shtetit në atë kohë ishte pjesë e “Filarmonisë Shqiptare” dhe artist i shkëlqyer në atë kohë ka qenë Zan Zyberi, këngëtar dhe aktorë perfekt dhe unë kam pasur debolesë. Kur isha i vogël dhe Margarita Xhepës i shkoja mbrapa, i shoqëroja deri në shtëpi, pa e ditur ata, kaq shumë qejf i kisha. Ai këndoi një këngë në Estradë. Unë mbarova pas asaj dhe duke vajtur shpesh në Estradë, spektator kuptohet, ja mësova fjalët dhe ua këndoja shokëve në shkollë. Një ditë më “gjuajtën” këta të “Shtëpisë së Kulturës” ose të “Bashkimeve profesionale” sepse vëllai im më i madh kishte dëshirën që unë të bëhesha artist por nuk më thoshte. Vëllai im quhej Ylli, ishte një organizator i përsosur dhe merrej vetëm me kulturën, autodidakt, sikundër edhe unë.
Kështu u bë një koncert tek sheshi “Avni Rustemi”, kishin ngritur një podium dhe me thanë do këndosh atë kupletën. unë u emocionova. I mbushur sheshi, se atëhere kur bëhej ndonjë aktivitet shkulej e gjithë Tirana, që nuk kishte kaq shumë njerëz. Kur vëllai im që prezantonte tha emrin tim, unë u drodha dhe e fillova këngën. Pati aq shumë sukses sa jam kthyer katër herë. Edhe unë herën e fundit besoj kam kënduar më mirë, sepse nganjëherë mund të ngatërroje edhe ndonjë fjalë. Këto kanë qenë fillesat e para.
Kur mbaruam shkollën unë hyra në punë, në një uzinë mekanike dhe ishte grupi i formuar dhe vëllai im ishte drejtor i grupit. Kam fasur fat. Atje u bëmë me emër, në uzinë dhe më ndërpreu ushtria pastaj. Po çfarë kishte ndodhur?! Mua më kishin emëruar në Korçë dhe kur më nisi mamaja tek makina më tha: “Afrohu të të puth”. Edhe si ato fotografitë e luftës që ushtari puth nënën e vet se shkon në front për luftë, ajo më tha: “Të keqen, mos më sill ndonjë nuse korçare”, se nëna ime ishte gjirokastrite. Ka qenë me shumë humor edhe babai im. Do ti që i erdhi korçarja në shtëpi kur mbarova ushtrinë. Po shkoi shumë mirë me të.
Unë kisha një grua shumë të bukur, e zgjodha vetë. Një ndër katër vajzat më të bukura të Korçës në ato kohë dhe nga më të varfërat, kështu që unë isha i planifikuar, që nuk e dija, që në Korçë po krijohej “Estrada e Kufirit”.
Na kishin dhënë një dhomë të madhe dhe na thanë: “do të merreni me grupin artistik të brigadës.” Kështu që gjatë 40-të muajve ushtri, i kemi rënë kufirit (këtë duhet ta besoni) mbi katër herë nga Radomira e Peshkopisë dhe deri në Çamëri, dhe që nga Saranda në bregdet e deri në Velipojë. Sigurisht shkonim nëpër fshatra sepse postat e kufirit ishin nëpër fshatra dhe ne në këmbë.
Agim Krajka, shoku im i ngushtë i ushtrisë dhe jetës civile, fizarmoniçist i nderuar, kompozitor filloi të perfeksiononte firzamonikën e tij që nuk e linte për asnjë moment. Kam kaluar në atë estradë, e cila më kaliti shumë mirë sepse duhet edhe të shkruaja unë për problemet e kufirit. Atëhere kuptova se vërtetë isha i nevojshëm për skenën. Në Korçë jepnim shfaqje dhe ishim me emër. Kur dilnim atje u thonin gocave sidomos: “ja ushtarkat e kufirit. Ky që pash mbrëmë. Ku s’duket fare që bën për të qeshur.”
Prej andej kur kam ardhur në Tiranë, syri im ishte që s të futesha në një grup artistik dhe pashë një lajmërim ku thuhej: Estrada e shtetit kërkon aktorë”. Unë u gëzova, u përgatita në shtëpi me një monolog dhe më thanë: ti ishe shumë mirë, na pëlqeve, por nuk mund të të marrim sepse e kemi një tip si ty. Edhe më përmendi emrin e një aktori që i ngjaja në interpretim. S’kishte lidhje fare. Kështu u detyrova të hyja në punë. Profesionin e kisha mekanik. Ka qenë një ndërmarrje ndërtimi me një drejtor shumë artdashës dhe atje më doli nami. Unë edhe një tejtër aktorë që punonte ndriçues ishim numri një në Tiranë, pa diskutim. Unë kisha plus sepse kur na shpërndanin për të formuar programet e olimpiadave të estradës dhe teatrit caktonin gjithnjë nga një profesionist dhe këtë e ngarkonte “Estrada e Tiranës” edhe “Teatri Popullor”.
Nga “Teatri Kombëtar” mbaj mend që në këto grupe aktivizoheshin, se nuk ishte kollaj të drejtoje grupe, të jesh regjisor, po ishin disa të talentuar siç ishte Viktor Gjoka, Ahmet Pasha, Pandi Siku, Seit Boshnjaku në ato kohë. Tani mua më bëntë çudi pjesëmarrja ime. Mua më jepnin shtatë grupe për të drejtuar. Sigurisht nga këta nuk dilnin të tërë të mirë, po në disa prej tyre kanë marë edhe çmime. Mesa duket unë paskam pasur më shumë talent se këta të tjerët. Kështu që mora një eksperiencë të jashtëzakonshme për drejtimin e grupeve. Ndërkohë, pa kaluar nja dy vjet nga kjo, ribëhet “Estrada e Ushtarit” dhe jepte shfaqje në “Kinemanë e Brigadave”. Ajo ishte një kinema me dy mijë vende. Kështu që ajo estradë kërkonte elemente. Regjisor ka qenë Gjon Daka, një aktor në atë kohë në “Teatrin Kombëtar” që ka luajtur rolin e Halilit në pjesën “Halili dhe Hajria”, një pjesë kombëtare shumë e bukur. Luante rolin kryesorë.
Ai u bë regjisor i “Estradës së Ushtarit” për herë të parë. Në konkurs regjizori kishte pranë aktoren e famshme Edi Luarasi, vajzë e re e bukur, e cila këndonte me të motrën, Frida. Ai e mbante atë afër dhe ishn edhe nja dy të tjerë, kishin fituar, dhe më dha një etyd. Pasi unë bëra ato që kisha përgatitur vetë shiko tha: “tash je në mes të Tiranës. Ke lënë një takim te Sahat ii Tiranës, mirëpo vjen me vonesë edhe të ka pritur partnerja. Si justifikohesh ti? Ulu mendohu.”
Kur u ula unë ai i tha Edit: “Shko ti, Ti je partnerja.” Si duket e porositit që të më mësonte çfarë pyetje të më bënte. Unë kisha vërë re një detaj në atë kohë në Sahatin e Tiranës, i cili punonte gjashtë ditë dhe nuk punonte shtatë ditë. E gjithnjë i rregullonin, duke i luajtur akrepat. Kisha vënë re një element: kur ai ishte në pushim hipnin laraskat dhe ne të rinjtë e mbanim mend këtë detaj që e formulova se çfarë duhet të them dhe shkoj atje.
Më thotë: Në çfarë ore e kishim lënë? Në orën gjashtë i them. Po sa është ora?, pyeti Tani është gjashtë e njëzet, iu përgjigja. Po atëhere përse ke ardhur? Iu përgjigja “ Po kur erdha unë ishte gjashtë. Kishte mbetur një laraskë aty dhe s’lunte akrepi dhe unë thashë se jam tamam”. Regjizori tha: në rregull, në rregull. Fitova dhe u bërë profesionist në “Estradën e Ushtarit”. Krijuam një grup shumë simpatik, të gjithë të rinj, nën drejtimin e këtij regjisori. Aty pastaj mua mu ndërpre jeta artistike për një gabim politik. U bë bujë jo vetëm në Tiranë, por në gjithë Shqipërinë. Po unë shpëtova vetëm nga burgu dhe mora një librezë të shkruar me bojë të kuqe. Dhe unë pashë librezën time kur ma dhanë e cila ishte shkruajtur: Përjashtohet përjetësisht nga të gjitha skenat e Republikës për thyerje të rëndë, flagrante të disiplinës në punë. Unë i merrja gjërat me sportivitet dhe kur më ndodhi kjo kisha idenë që nuk do të ishte ndonjë gjë e madhe, por ata e kishin bërë problem. Anulluan shfaqjen, se ishim në turne. Atje e kam bërë gabimin. Na kthyen në Tiranë, na dhanë tre ditë pushim pastaj u bë mbledhja dhe ai që ishte në krye të kësaj pune në Ministri, general Dilaver Koçi, e mbaj mend si tani sepse kishte qenë shok me vëllain tim dhe tha: menduam që t’i japim thyerje disiplinore dhe jo ta bëjmë çështje penale se është djalë i ri, është shumë i talentuar, ne kemi shumë nevojë për talente të reja.
Kështu u ndërpre karriera artistike dhe u ktheva në profesionin tim hidraulik. Këtu ka ndodhur çudia, edhe pse isha i ndaluar, i persekutuar vinte nga “Estrada e Ushtarit” që më hoqën mua, një nga ata shokët e mi dhe thoshte do të na bësh këto materiale se na ka dërguar drejtori. Unë shkruaja dhe ky më silltë paratë. Atëhere sikur po ngrohesha pak. Unë kisha lidhje me të gjitha estradat e Republikës dhe kam pasur punë pafund, nuk kam fjetur një herë si duhet.
Pastaj filluan disa sinjale. I nderuari Bujar Kapexhiu u caktua regjisor në estradë. Në këtë kohë më çon në drejtori dhe më mori duke qenë si i jashtëm, me honorare. Honorari ishte 15-të lekë për shfaqje. Vazhdoja me sukses me parodi, me të gjitha gjërat që unë disponoja. Kishin kaluar shumë vite dhe Bujar Kapexhiu më mori në një film për herë të parë, se unë e kisha me dëshirë edhe kinemanë. Më dha rolin e vogël tek kinokomedia “Edhe kështu, edhe ashtu.”
Në “Teatrin Kombëtar” është vënë një ndër pjesët më të bukura të Bertold Brehtit, “Arturo Ui” që e luante Kadri Roshi, Sulejman Dibra edhe Çlirim Basha. Tre vetë dublantë, po në krye ishte Kadriu. Aty ishte një problem, që unë as nuk e njihja fare se isha me estradën, me cirkun. Vjen një lajmëtar që më thotë të kërkon Pirro Mani. Kishin kaluar vite. Mar biçikletën e shkoj në Teatër. Më thotë: shiko kam një rol po më thuaj, se ti je në cirk, a hedh dot tre kapelle si xhongler? Tre kapelle i hedh i thashë. Po për çfarë? E di unë tha. Ik e merri ato kapelet.
Biçikletës unë dhe iki dhe erdha sërish. Më tha: a mund të flasësh ndërkohë që i hedh? Po çfarë të flas i tashë. Futja kot më tha. Edhe unë kot fillova edhe të interpretoja. Kjo më duhet mua, më tha. As e kuptova fare. Një personazh, një intrigant i kësaj drame që e lozte Ndrekë Luca ishte ai që Hitleri i thoshte vrite filanin dhe ky e ekzekutonte dhe e hiqte kapelen e atij dhe e vinte në kokë. Të nesërmen në mëngjes dilte me kapelën e atij. Në provat gjenerale erdhi përkthyesi Robert Shvarc. E pa dhe u mahnit. Pirro më kishte gjetur mua, humorist të isha ai që tregon narrativën e shfaqjes. Ishte goxha tekst i madh dhe i thotë: ku e ke gjetur këtë mo Pirro? Atë detajin me kapelle hiqe, sesi është. Ndoshta prej kësaj Pirro nuk e bëri pjesën me kapele, kurse unë vazhdova për tetë muaj me radhë, biletat me autorizimin të shikonin “Arturo Ui” të prezantuar prej meje.
Pastaj bëra pesë, gjashtë filma dhe sot e kësaj dite unë nuk e kam lënë artin. Vazhdoj të punoj me atë inteligjencë, se nganjëherë lajthisim nga trutë në këtë moshë, me atë dashuri sepse këtë me thënë të drejtën ma kanë ngulur më shumë fëmijët. Jam bërë numri një i fëmijëve. Nuk ka gjë më të bukur dhe më bëri përshtypje që në çertifikatën që më në fund më kanë dhënë titullin “Mjeshtri i madh”, u lexua një pjesë goxha e madhe për edukimin e fëmijëve që jam bërë një protagonist në argëtimin e fëmijëve. Jam i lumtur me jetën deri tani.
Është e vështirë, këtë nuk e them unë e kanë thënë të tjerët edhe shkruar nëpër libra, që është e thjeshtë njerëzit t’i bësh për të qarë, por shumë e vështirë për të qeshur. Mirëpo nga ana tjetër ne që e kemi dhunti këtë punë na ka ndihmuar besoj edhe në zgjatjen e jetës. Çaplini thotë “një e qeshur është pesë ditë jetë”. Është e vështirë sepse duhet të improvizosh. Sekreti është tek improvizimi, të kesh talent por edhe të marrësh fjalët e tjetrit dhe të sajosh një gjë që ai të qeshë.
Unë këto i kam pasur të shquara batutat edhe në skenë dhe shpesh herë më thonin autorët mos dil nga teksti, po nuk më rrihej. E qeshura është dhunti. Të bësh të tjerët për të qeshur nuk është siklet është talenti.
Ndoshta ndonjë nga ju, ju prindërit që vinit më fëmijët dhe që vini edhe në ekran keni menduar ndonjëherë përse “Loli”? Çfarë lidhje ka? Ç’do një klloun me këtë pseudonim? Unë e zgjodha se mbesat e mia kur ishin të vogal, Irena dhe Zana dëgjonin Vilson, por nuk e shqiptonin dot dhe e thoshin Lolon. Kur u rritën e shkurtuan në Loli. Edhe unë desha ta ruaj këtë dhe tani më thonë Loli.
Nëqoftëse do të isha përballë vetes sime 18-të vjeçar, nuk them se do të kisha korrigjuar shumë gjëra, por do t’i thosha duhet të bëhesh artist i humorit.