Von der Leyen: Maqedonia e Veriut të miratojë ndryshimet kushtetuese
2024-10-26 15:39:07

foto: CNA.AL

foto: CNA.AL

Presidentja e Komisionit Europian (KE), Ursula von der Leyen, i ka bërë thirrje Maqedonisë së Veriut të kalojë ndryshimet kushtetuese për ta përmbushur njërin prej detyrimeve vendimtare në rrugën drejt anëtarësimit në Bashkimin Europian (BE), shkruan “ATSH”.

Gjatë vizitës në Shkup, si pjesë e turneut të saj në Ballkanin Perëndimor, ku u takua me kryeministrin maqedonas, Hristijan Mickoski, von der Leyen theksoi se zgjerimi i BE-së mbetet një nga prioritetet kryesore të saj.

“Pothuajse jemi aty. Shpresoj se me dialog të përbashkët, të gjitha forcat politike në vend do të bashkohen dhe do të ndërmarrin hapat e nevojshëm vendimtarë për përparim. Jam e bindur se mund t’i kapërcejmë barrierat që ekzistojnë”,- tha von der Leyen në një konferencë të përbashkët shtypi me Mickoskin.

Maqedonia e Veriut ka ngelur mbrapa në procesin e integrimit dhe mori një goditje këtë muaj kur BE-ja hapi kapitullin e parë në negociatat për anëtarësim me Shqipërinë, duke e shkëputur vendin nga paketa e përbashkët.

Arsyeja është se Maqedonia e Veriut nuk ka përmbushur kushtin e vendosur nga Bullgaria, që ta përfshijë në preambulën e Kushtetutës së vendit edhe minoritetin bullgar. Ky kusht ishte futur në kornizën negociuese që Parlamenti maqedonas votoi në korrik 2022, propozim që njihet edhe si propozimi francez. Opozita ishte kundër ndryshimeve kushtetuese.

Kryeministri Mickoski deklaroi se qeveria maqedonase mbetet e përkushtuar në rrugën drejt BE-së dhe se me ndihmën e bllokut mund të tejkalohet çdo sfidë.

“Qëllimi ynë është i qartë është që duam të jemi pjesë e familjes europiane, duke ndarë të njëjtat vlera të demokracisë, sundimit të ligjit dhe respektimit të të drejtave të njeriut. Jemi të vetëdijshëm se kemi para sfida të rëndësishme si në fushën e drejtësisë, luftës kundër korrupsionit, zhvillimit ekonomik dhe forcimit të institucioneve që mbeten vendimtare për të ardhmen tonë”,- tha Mickoski.

Duke anashkaluar kërkesën e KE-së për ndryshimet kushtetuese dhe përfshirjen e minoritetit bullgar në të, Mickoski tha se qeveria maqedonase mirëpret ndihmën e BE-së për të vazhduar procesin e integrimit europian.

Von der Leyen vlerësoi përparimin e Maqedonisë së Veriut dhe vendeve të tjera të Ballkanit Perëndimor në agjendën e reformave dhe njoftoi se Shkupi do të përfitojë më shumë se 750 milionë euro nga Plani i Rritjes, duke përfshirë këstin e parë prej 52 milionë eurosh, deri në fund të vitit.